Izraeli vret një tjetër gazetar gjatë sulmeve në Gaza

Gazetari Adem Abu Herbid dhe tre të afërm të tij u vranë në një sulm të ushtrisë izraelite në qytetin verior të Gazës, raporton Anadolu.

Sipas informacionit të marrë nga Anadolu nga burime shëndetësore në Gaza, ushtria izraelite bombardoi një tendë që strehonte civilë të zhvendosur pranë Pazarit Yarmouk në pjesën qendrore të qytetit të Gazës.

Gazetari Abu Herbid dhe tre të afërm të tij u vranë në sulm, ndërsa gruaja dhe fëmijët e Abu Herbid u plagosën.

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e Medias e qeverisë në Gaza, u raportua se gazetari Adem Abu Herbid dhe familja e tij humbën jetën si pasojë e sulmit izraelit.

Theksohet se Abu Herbid ishte një gazetar që punonte me organizata të shumta mediatike dhe se numri i gazetarëve që kanë humbur jetën që nga fillimi i sulmeve në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, është rritur në 232.

Në deklaratë dënohet vrasja sistematike e gazetarëve në Gaza “me termat më të ashpra” dhe i bëhet thirrje Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Unionit të Gazetarëve Arabë dhe të gjitha organizatave mediatike në mbarë botën të dënojnë krimet sistematike të kryera kundër anëtarëve të shtypit palestinezë në Rripin e Gazës.

“Ne e llogarisim bashkëpunëtore në krimin e gjenocidit pushtimin izraelit, administratën amerikane dhe vendet si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca, plotësisht përgjegjëse për kryerjen e këtyre krimeve të tmerrshme dhe brutale”, thuhet në deklaratë.