Iseni: VLEN nuk është perfekt…

Analisti politik Xhenur Iseni ka reaguar ndaj pyetjeve që janë ngritur nga disa përkrahës të BDI-së lidhur me mundësinë e përfshirjes së Hristijan Mickoskit në fushatën e koalicionit VLEN për zgjedhjet lokale.

Sipas Isenit, bashkëpunimi mes partnerëve qeverisës është një proces i natyrshëm dhe i krahasueshëm me bashkëpunimin që vetë BDI ka pasur me LSDM-në gjatë zgjedhjeve të mëparshme lokale. Por ai thekson se BDI ka shkuar shumë më larg, duke përmendur se në fushatën lokale në Tetovë kishte marrë pjesë edhe Lube Boshkovski, figurë e njohur për rolin e tij gjatë periudhës së konfliktit dhe i konsideruar si “kasapi i shqiptarëve”., përcjell Zhurnal.mk

“Për BDI-në ka qenë e lejueshme gjithçka — nga rrahja e nxënësve shqiptarë në autobusë, burgosja e nënave shqiptare për rastin ‘Monstra’, te rasti i ‘Lagjes së Trimave’ dhe shumë të tjera,” shprehet Iseni.

Ai shton se, ndonëse pritshmëritë ndaj VLEN mund të kenë qenë të mëdha dhe nuk është perceptuar si perfekt në sytë e qytetarëve, kjo vjen për shkak të dëshpërimit të thellë pas një periudhe të gjatë të qeverisjes dydekadëshe të BDI-së. “Por VLEN ende nuk e ka arritur kulmin e BDI-së, që të bëjë fushatë me Lube Boshkovskin,” përfundon ai.

Deklaratat e Isenit vijnë në një moment kur partitë politike në Maqedoninë e Veriut po përgatiten për garën e ardhshme lokale, ku pritet të testohen fuqishëm aleancat e reja dhe mbështetja qytetare për to.