Intervistë/ Drejtori i Spitalit Dr.Elezi: Spitalit të Tetovës do t’ia rikthjemë dinjitetin (VIDEO)

Është afër kolapsit, nuk ka operacione në ortopedi, motrat medicinale me kontrata në vepër punojnë me shpresë dhe ankth, investimet janë të bllokuara – kjo është gjendja momentale e Spitalit të Tetovës. Por për drejtorin e ri, këto janë edhe arsyet pse ai e merr këtë drejtim.

Sipas drejtorit të sapoemëruar, Dr. Erzen Elezi, Spitalit të Tetovës me shpresë dhe punë të palodhshme do t’i rikthehet dinjiteti i humbur. Ai, në një intervistë për portalin TetovaSot dhe Ts.mk, u shpreh për herë të parë si drejtor se gjendja e spitalit është e mjerueshme dhe se do të punojë 24 orë për ta stabilizuar atë.

Duke folur për sfidat, Elezi u shpreh se nuk i frikësohet punës, por do të bashkëpunojë me këdo që Spitali i Tetovës të jetë në shërbim të qytetarëve. Sa i përket përfundimit të ankthit që po përjetojnë motrat medicinale me kontrata në vepër, Elezi shprehet se do të trokasë në çdo institucion kompetent si Ministria e Shëndetësisë, Financave dhe Fondi Shëndetësor që loti i tyre të kthehet në buzëqeshje, sepse pikërisht ato motra janë ato që e mbajnë gjallë Spitalin Klinik të Tetovës.

Elezi u shpreh se punimet që janë ndërprerë do të vazhdojnë dhe do të përfundojnë, duke shpresuar në një bashkëpunim me këdo, për të vendosur qoftë edhe një gozhdë në mur. Elezi, si drejtor i ri, tregoi edhe transparencën në këtë institucion duke i dhënë fund nepotizmit, ku që nga dita e parë shkarkoi motrën e tij si kryeshefe reparti, vetëm për të treguar se në spital nuk do të ketë lidhje farefisnore. Ai premtoi se në repartet e tjera ku do të ketë padrejtësi, do të veprojë në bazë të ligjit dhe se spitali do të jetë i qytetarëve.

Ndryshe, Spitali Klinik i Tetovës ka mjekë tepër të mirë, por gjithmonë ka hasur në keqmenaxhues, duke shkelur shumë herë edhe mbi ata që shpresën e parafundit e kanë te mjekët dhe të fundit te Zoti.