Policia e Tropojës ka arrestuar një 58-vjeçar, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij, ndërkohë që kjo e fundit është larguar nga shtëpia.
48-vjeçarja rezulton e larguar nga banesa prej datës 22 Korrik.
Kanë qenë të afërm të gruas që kanë bërë denoncimin për zhdukjen e saj në polici, ndërsa hetuesit kanë dyshimet se mund të jemi përballë një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Blutë kanë arrestuar Imer Shpata, ndërsa në momentin e vendosjes në pranga, në banesën e tij në fshatin Bujan, u gjetën dy armë zjarri automatike, të cilat u sekuestruan.
Ndërkohë nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Hetimet e thelluara identifikuan dhe zbardhën një rast dhune sistematike nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes, e dyshuar me pasoja të rënda.
Vihet në pranga 58-vjeçari që ushtonte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes.
Bashkëshortja është larguar nga banesa më datë 22.07.2025 dhe vijon të jetë në kërkim.
Në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri automatike.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për gjetjen e shtetases N. Sh., 48 vjeçe, e cila është larguar nga banesa më datë 22.07.2025. Dyshohet se pas këtij largimi mund të fshihet një ngjarje e rëndë kriminale.
Në momentin e arrestimit, Policia gjeti në banesën e 58-vjeçarit I. Sh., banues në fshatin Bujan, dy armë zjarri automatike, të cilat u sekuestruan. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, pas informacionit të marrë nga të afërm të shtetases N. Sh., se ajo ishte larguar nga banesa e bashkëshortit dhe kishin humbur kontaktet me të, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe gjetjen e saj.
Nga hetimet rezultoi se 48-vjeçarja dyshohet se është larguar si pasojë e dhunës sistematike nga bashkëshorti. Në këto kushte, u shoqërua dhe më pas u ndalua shtetasi I. Sh., 58 vjeç.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Po ashtu, janë angazhuar shërbime të specializuara të Policisë për kërkimin e 48-vjeçares, me dyshimin se mund të jemi përballë një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.