Gashi: Me ligjin për shkollat teologjike garantojmë barazi dhe qasje të drejtë në arsim për të gjithë
Me 80 vota pro, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi sot Propozim-ligjin për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare, një hap i rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave të barabarta në sistemin arsimor.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në një deklaratë pas votimit theksoi se ky ligj siguron që nxënësit e shkollave teologjike të gëzojnë të njëjtat të drejta si bashkëmoshatarët e tyre në shkollat e tjera publike.
“Ky ligj garanton të drejta të barabarta për nxënësit e shkollave teologjike, duke u siguruar atyre mundësi të njëjta me nxënësit e shkollave të tjera publike, përfshirë të drejtën për vazhdimin e arsimit të lartë kudo në vend, në përputhje me kushtet,” theksoi Gashi.
Sipas tij, ky vendim përfaqëson jo vetëm një përparim ligjor, por edhe një mesazh politik për përkushtimin e shtetit ndaj barazisë, respektit për liritë fetare dhe integrimin gjithëpërfshirës në arsim.
Gashi siguroi opinionin publik se Kuvendi do të vazhdojë të jetë i përkushtuar ndaj politikave që forcojnë sistemin arsimor dhe krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Kuvendi mbetet i angazhuar për zhvillimin e arsimit dhe barazinë e mundësive për të gjithë,” deklaroi ai.
Miratimi i këtij ligji është përshëndetur gjerësisht nga përfaqësues të komuniteteve fetare, shoqëria civile dhe prindër të cilët prej vitesh kanë kërkuar njohje dhe barazi institucionale për shkollat me karakter fetar.