Franca liron pas 41 vitesh burgim ekstremistin e majtë pro-palestinez

Pas më shumë se katër dekadash pas hekurave, Georges Abdallah, ish-mësuesi militant i krahut të majtë nga Libani, është liruar këtë të premte nga burgu francez i Lannemazan. 74-vjeçari, i dënuar në vitin 1987 për përfshirje në vrasjen e një diplomati amerikan dhe një zyrtari izraelit në Paris, u riatdhesua menjëherë drejt Libanit, ku pritet të mbërrijë në Bejrut.

Abdallah, një figurë e kontestuar, është konsideruar prej kohësh si një simbol i rezistencës së majtë pro-palestineze. Ai ishte anëtar i grupit marksist-leninist Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, Komanda e Veçantë, që mori përgjegjësinë për disa sulme ndaj interesave amerikane dhe izraelite në Evropë në vitet ’80. Gjatë gjyqit, ai mohoi përfshirjen direkte në vrasje, por mbrojti legjitimitetin politik të veprimeve të grupit.

Megjithëse atij iu dha e drejta për lirim me kusht, por që nga viti 1999, autoritetet franceze e kanë refuzuar lirimin e tij në mënyrë të përsëritur. Avokati i Abdallah, Jean-Louis Chalanset, theksoi se “presioni politik i vazhdueshëm nga SHBA-ja dhe Izraeli” ndikoi në mbajtjen e tij në burg përtej afatit të dënimit.

“Është një fitore për drejtësinë, por edhe një skandal politik që ai nuk u lirua më herët,” deklaroi Chalanset.

Ndër mbështetësit e Abdallah gjatë viteve ka qenë edhe shkrimtarja dhe fituesja e Çmimit Nobel për Letërsi 2022, Annie Ernaux, e cila e quajti atë “një viktimë të drejtësisë shtetërore, për të cilën Franca duhet të turpërohet.”

Në një intervistë të dhënë së fundmi për agjencinë franceze AFP nga qelia e burgut, Abdallah u shpreh se ka qëndruar i fortë duke u fokusuar te “lufta për Palestinën”.

Vendimi për lirimin e tij u mor nga Gjykata e Apelit, e cila e cilësoi paraburgimin e tij të mëtejshëm si “joproporcional”.