“E prangosëm, e vendosëm në ambulancë – ndërkohë njoftuan që s’ka shenja jete”, deklaratat e plota të pesë policëve

Pesë zyrtarët policorë të paraburgosur për rastin tragjik të Agon Zejnullahut në Lipjan, të cilin po hetohen nën dyshimet se e vranë nga pakujdesia, kanë dhënë deklaratat e tyre para Prokurorit të Shtetit për natën tragjike të 7 korrikut.

Klankosova.tv ka siguruar kërkesën e plotë të Prokurorit të Shtetit, ku janë të përfshira dëshmitë e secilit zyrtar policor, të intervistuar në cilësi të të dyshuarve, të cilat i gjeni më poshtë.

Deklarata e rreshterit Ibrahim Nela

“Në momentin kur kemi mbërritur në lokacion zyrtari policor Albiani ka qenë duke drejtuar veturën e Policisë dhe e ka pasur dritaren hapur dhe aty kemi vërejtur personin Agon Zejnullahu, i cili sapo na ka vërejtur është nisur në drejtim tonin dhe ne kemi dashur ta pyesin se çfarë ka ndodhur apo çfarë ka por i njëjti ka filluar të fyejë me fjalë por nuk jam i sigurt çfarë fjalë ka përdorur e më pas me dorë ka kapur derën e parë të shoferit dhe në momentin që Albiani e ka vërejtur se i njëjti po dëshiron të na sulmoj apo godas, ka vazhduar me automjet për rreth 20 metra përpara dhe jemi ndalur.

Pasi kemi dalë nga vetura qytetari në fjalë ka vazhduar në drejtim tonin dhe për ta ndalë pasi që i njëjti veç ishte afruar afër, kolegu Albiani ka dhënë komandë verbale për tu ndalë, por pasi që i njëjti nuk është ndalë atëherë kolegu Albani është detyruar të përdor sprejin lotsjellës për të ndalë sulmin ndaj neve. Pas përdorimit të sprejit i njëjti është tërhequr dhe është futur në një automjet që ka qenë në rrugë i modelit VW Golf dhe është ulur në ulësen e shoferit dhe i njëjti ka qenë jashtë kontrollit, nuk ka ditur se çfarë ka folur, çdo herë i ka ngritur duart duke nënkuptuar që të mos e sulmojmë edhe pse gjatë gjithë kohës kemi komunikuar me të dhe i kemi thënë të qetësohet, në të njëjtën kohë kemi ftuar ambulancën dhe një njësi policore për asistencë. Gjatë kësaj kohe kam vërejtur që qytetari në fjalë ka pasur një të qarë mbi vetullën e majtë e cila i rrjedhte gjak, ka pasur sytë më të rritur, ka qenë pothuajse tërësisht i djersitur dhe gjendja e tij psikike ka qenë jashtë kontrolle pothuajse totalisht dhe ka bërë veprime të çuditshme edhe pse ne tërë kohën jemi munduar ta qetësojmë, po ashtu një shok i tij i ka folur tërë kohës duke u munduar ta qetësonte duke i thënë që tani vjen ambulanca dhe do ti japë ndihmën e parë. Ndërkohë në asistencë ka ardhur edhe një njësi policore në përbërje prej dy zyrtarëve policor dhe deri sa kemi qenë duke biseduar me të dyshuarin për ta qetësuar i njëjti ka dalë me vrull nga vetura dhe për ta ndalur unë e kam kapur për krahu dhe ndërkohë kanë reaguar edhe zyrtarët policor të tjerë për ta futur nën kontroll dhe të njëjtit i kemi vendosur prangat.

Gjatë tërë kohës i njëjti ka rezistuar duke mos i afruar duart dhe duke gjuajtur me shqelma edhe pse ka qenë i shtrirë me gjoks për toke, por vlen të ceket se qytetari ka qenë i ushtruar fizikisht dhe ka pasur forcë shumë të madhe edhe pse në pamje të parë nuk dukej dhe kjo ka qenë arsyeja që është dashur të përdoret forca duarthatë për ta futur nën kontroll. Pasi që i kemi vendosur prangat të njëjtin kemi tentuar ta ngrisim për ta vendosur në pozitën ulur, por aty e kemi parë që gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë dhe kemi marrë ujë ku jemi munduar ta freskojmë dhe ndërkohë ka ardhur autoambulanca e cila nga thirrja jonë është vonuar shumë edhe pse në afërsi nga vendi i ngjarjes është rreth 500 metra, të cilëve ju kemi ndihmuar ta vendosin në lesë dhe më pas e kanë vendosur në autoambulancë dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore, ndërkohë të njëjtit kanë njoftuar që qytetari nuk ka shenja jete.“ – ka deklaruar Nela, raporton Klankosova.tv

Dëshmia e zyrtarit policor Albian Retkoceri

“Unë kam qenë patrullë Al-101 me mbikëqyrësin e ndërrimit Rreshter Ibrahim Nela, kemi qenë duke e mbushur veturën me derivate në HIB Petrol, edhe mbikëqyrësi i ndërrimit e ka pranuar informatën se një person është duke sulmuar qytetarët në rrugën “Zylfije Gashi/Hajredin Bajrami” në qendër të Lipjanit, e kemi përfunduar me urgjencë mbushjen e veturës dhe jemi nisur në drejtim të informatës, gjatë kohës sa kemi qenë duke shkuar rrugës baza na ka njoftuar se personi i dyshuar nuk e ka sulmuar vetëm një qytetarë por edhe qytetarë të tjerë, rreth orës 00:20 kemi arritur në rrugën “Zylfije Gashi” edhe me rotative ndezur kemi patrulluar deri në fund ku kryqëzohet me rrogën “Hajredin Bajrami”, kur kemi arritur në kryqëzim para zyrave të Taxit “Arjoza” e kemi vërejte personin e dyshimtë dhe qytetarët qe po ikin prej tij, xhamin e kam pam pasur të hapur komplet dhe personi i dyshimtë si na ka parë neve ka kërcyer në drejtim tonin me na sulmuar duke na sharë “unë ja u qij nanën” unë pasi qe isha duke vozitur në pamundësi për të reaguar kam lëviz me veturë në drejtim të rrugës “Hajredin Bajrami” rreth 15 metra, aty pastaj se bashku me mbikëqyrësin kemi dal nga vetura dhe i dyshimti ka ardhur prap në drejtim timin për të më sulmuar fizikisht, unë e kam nxjerr pajisjen ndërmjetësuese sprejin, i kam hedhur në fytyrë dhe kam ik prej tij, i dyshuari ka vazhduar të lëvizë në mënyrë të çrregullt dhe i njëjti ka hyrë në ulës e shoferit pasi me pare e kishte hapur derën e shoferit të veturës Golf 7 ngjyrë të bardh.

Shoferi i veturës i është afruar afër të dyshuarit dhe është munduar te qetësoj, gjatë kësaj kohe unë se bashku me Rreshterin kemi qëndruar rreth 3 metra në distancë nga vetura duke e siguruar atë. Gjatë kohës kur i kemi qit sprejin mbikëqyrësi i ndërrimit e ka njoftuar bazën përmes radiolidhjes qe të kërkoj autoambulancën e po ashtu ka kërkuar nga njësia AL-102, qe të vijë asistencë, në njësinë Al-102 kane qenë koleget Artidon Kongjeli dhe Liridon Rrahmani.

Pas pak kanë ardhur edhe asistenca nga njësia Al-102. I dyshuari tanimë ishte i ulur në ulësen e shoferit dhe ne ishim duke biseduar me të nga distanca me qëllim qe të qetësojmë, kjo ka vazhduar për rreth 7 apo 8 minuta, dhe për një moment i dyshuari e ka hap derën e veturës ka dal nga vetura me shpejtësi dhe rreshteri Ibrahim Nela e ka kapur nga dorë të dyshuarin, dhe se bashku me kolegun Liridon Rrahmani, po ashtu në atë rast ka ardhur edhe një koleg civil i cili ishte duke kaluar dhe ishte jashtë detyrës zyrtare ai quhet Endrit Beqiri të njëjtin e njohim sepse ai ka punuar në Stacionin Policor në Lipjan, posa e ka kapur rreshteri nga dora të dyshuarin ka arritur qe të shtrij për tokë se bashku me Liridonin, Endritin, unë dhe Artedoni. Gjatë kohës sa kemi qenë në prangim e sipër i dyshuari ka rezistuar dhe Liridon Rrhamani mi ka dhënë prangat e veta, unë jam munduar qe të prangosi në dorën e majtë të dyshuarin por nuk kam arritur me pas rreshteri Ibrahim ka arritur të vendos prangen në dorën e majtë të dyshuarit, me pastaj duke bërë përpjekje për prangosje dorën e djathtë e kishte kapur edhe një person i cili ishte civil unë kam menduar fillimisht se ai ishte qytetarë dhe kishte ndërhyrë për të na ndihmuar e me pastaj duke i thënë në rregull edhe lëshoje se unë po ia kapi dorën ai është prezantuar se është Endriti, zyrtari policor qe unë e kam njohur me pastaj i kemi afruar dorën e djathtë afër të majtës dhe i kemi vënë prangat.

Pas vendosjes se prangave të dyshuarin e kemi ngjitur në pozitën në gjunjë dhe unë kam vrapuar në veturën zyrtare për të marr një shishe me ujë dhe i kam qit ujë në fytyrë dhe në kokë po ashtu i ka afruar ujë edhe qytetarët e me pastaj na i kemi qit ujë. Pas këtij momenti unë ia kam kërkuar radiolidhjen Liridon Rrahmanit, me pastaj kam biseduar me bazën duke i thënë se a është duke ardhur emergjenca pasi ka kohë qe e kemi kërkuar, nga baza me janë përgjigjur se emergjenca është afër dhe për 1 minutë do të jetë të ju, unë kam vazhduar në drejtim të kryqëzimit, të rrugëve “Hajredin Bajrami dhe Zylfije Gashi” me qëllim qe të largoj veturat dhe të mundësoj ambulancës qe të vijë me shpejtë në vendin e ngjarjes.

Autoambulanca ka ardhur pa rrotacion dhe besoj se e njëjta shihet edhe në pamje të kamerave e cila me pastaj ka hyrë të vendi i ngjarjes, me pastaj si ka zbritur doktoresha e kanë sjell me vete një lese për bartjen e pacienteve, me pastaj se bashku me stafin e autoambulancës e kemi vendosur në lese të dyshuarin me pastaj me të dyshuarin është marr stafi mjekësor. Me pastaj po ashtu se bashku me autoambulancën kemi vazhduar edhe njësia jonë Al-101 ku kam qenë unë se bashku me rreshter Ibrahim Nela, aty kemi qëndruar derisa kanë ardhur edhe njësitet tjera si forenzika rajonale, prokurori me një asistentë, IML dhe AL-3, Bedri Limani.”, transmeton Klankosova.tv

Deklarata e policit Artidon Kongjeli

“Rreth orës 00:20, ne radio komunikuese ka lajmeru Rreshteri i ndërrimit se na duhet asistence e menjëhershme. Ne i kemi njoftuar koleget e trafikut se e kemi me doemos qe te shkojmë ne asistence kolegeve tone. Ne ora 00:22, kemi arrit ne lokacion, dhe kur kam dal jashtë, kam pa se një person, ishte i ulur ne një veture, Golf 7, ngjyre e bardhe. Aty kam dëgjuar nga personi i dyshuar fjale te pakuptimta dhe lëvizje shume te çrregullta, sipas meje dukej qarte se nuk ishin veprime normale, dhe se mund te ishte nen ndikim te ndonjë substance. Aty kam dëgjuar se koleget e mi Rreshter Ibrahim Nela dhe polici Albian Ratkoceri, ishin duke i folur ne mënyrë qe ta qetësonin, mirëpo personi dukej qarte se nuk po përmirësohet. Pas disa minutash, kam marr urdhër nga Rreshteri qe veturën qe isha duke e vozitur e cila ishte ne kahun tjetër te lëvizjes ta kthej mbrapa dhe ta bllokoj, shiritin qarkullues ne te cilin ishte duke ndodhur ngjarja. Duke vozitur kam vërejtur se koleget e mi ishin duke tentuar te ia vendosin prangat, dhe atëherë une kam dal nga vetura dhe kam shkuar qe ti asistoj koleget e mi. Aty kam pa se kemi has ne rezistence nga i dyshuari i cili nuk ju bindej asnjë urdhri te zyrtarit policor.

Pastaj unë kam përdor kontrollin e bute duarthate, ne mënyrë profesionale, për ta futur te dyshuarin nen kontroll. Pasi qe personi ishte i zhvilluar fizikisht, ne e kishim problem qe te ia vendosnim prangat, mirëpo pas disa sekonda unë isha duke i ja mbajtur dorën e djathte ne ndihme te kolegut Endrit Beqiri dhe nuk e kam pa kjarte se kush ia ka vendosur prangat. Pasi qe i dyshuari u prangos, koleget e mi, rreshteri, Albiani dhe Liridoni, por nuk jam i sigurte për Liridonin, e kane vendos ne pozitën e ulur dhe kane fillu ti japin ndihme, duke i dhënë ujë, ne ata sekonda veq se ka arrit edhe emergjenca e qytetit e cila ishte e njoftuar para se unë te arrija ne lokacion. Atyre i kemi ndihmuar qe ta vendosin ne lese dhe ta fusin ne makinën e emergjencës për tretman mjekësor dhe me pas kam qëndruar jashtë ambulancës dhe pastaj njësia AL-101 se bashku me emergjencën kane vazhduar drejt objektit te emergjencës. Unë dhe kolegu Liridon Rrahmani kemi qendru ne vend ngjarje, dhe pas disa minutash ne lokacion ka ardh shefi i operatives rreshter Bedri Limani. Ne e kemi rrethuar vendin e ngjarjes me shirit rrethues dhe duke e bere kete kam vërejt ne vendin ku ishte i dyshuari një qese me substance te dyshuar narkotike.

Ne lokacion kane dal edhe njësia e Hetime te SP Lipjan, se bashku me forenziken dhe pas disa minutave, njësisë tone na është kërkuar asistence nga shefi i ndërrimit i cili ishte ne emergjence. Njësia jone nga aty kemi vazhduar për ne emergjence, dhe ne lokacion ka mbetur njësia e hetimeve. Unë kam qëndruar për disa minuta ne emergjence dhe jam udhëzuar nga rreshter Ibrahim Nela qe te shkoj ne stacion për te intervistuar ankuesit te cilët i kishte sulmuar i dyshuari. Kur kam arrit ne stacion kam pa qe kolegu Xhevat Cokli ishte duke marr deklarate, deri sa isha aty dëgjova nga ankuesi se si i kishte sulmuar i dyshuari atë dhe familjen e tij. Dhe nga aty prap kam dal ne vend ngjarje me udhëzim te shefit te operatives. Kur kam shku kam pa se aty ishin hetimet rajonale dhe prokurorja për krime te renda. Pastaj kemi qëndrua aty deri sa kolegët kane terhekur substancën e dyshuar narkotike, te llojit kokain dhe kam qëndrua aty deri sa kemi përfundua me vendin e ngjarjes, pastaj jemi kthy ne stacion dhe kam përpiluar raportin për veprimet e mia.“

Deklarata e zyrtarit Endrit Beqiri

“Rreth orës 00:10 te datës 07.07.2025 kam qene duke u kthye nga Lipjani në fshatin Koshare në shtëpinë time. Ne rrugën Haredin Bajrami një patrullë policore me ka ndalua, ku afër patrullës ishte një veturë Wolswagen Golf 7 ngjyrë e bardhë, aty kam par 3 zyrtar policor te cilët qëndronin afër derës se shoferit ku ishte i ulur një person, e kam vërejt se personi kishte veprime te çrregullta duke e goditur veten me duar si dhe e qitke kokën jashtë veturës dhe u futke përsëri në vetuar duke i dërguar duart te koka, këto janë pamjet te cilat i kam par unë nga vetura ime te cilën me ndaloj policia. Papritmas në një moment personi del nga vetura, por nuk e di se a rrezohet vet apo është rrëzuar nga zyrtaret policor, mirëpo reagimet e zyrtarëve policor kanë qen të menjëhershme në përpjekje të vemjes se situatës në kontrolle. Ne këto momente pasi tre zyrtar policor e kapen personin, mbrapa meje sa unë isha ne vetuar ka vrapuar një zyrtar policor drejt personit për t’ju asistuar kolegëve të tij, rrugës zyrtarit policor i bie shufra afër veturës time pastaj kam dal nga automjeti e kam kapur shufrën ja kam ofruar kolegut të cilit i ra dhe këtu kam vrenjtur se të njëjti nuk po arritën ta futin nënë kontroll duke ja kthyer dorën në pozicionin për ta prangosur dhe unë i kam ndihmuar zp i cili nuk ka arrinte ta kthente dorën ne pozicionin për prangosje duke qen se personi ishte shume i fuqishëm.”, transmeton Klanikosova.tv

“Gjate asistimit ne arrestim ne asnjë moment nuk kam qen i vendosur mbi trupin e personit për ta neutralizuar, por si e ceka ma lart veprimi im i vetëm ka qenë vendosja e dorës ne pozitën për prangosje. Me të prangosur i njëjti nuk ka shfaqur rezistencë dhe këtu nga ana e djathtë ja kam futur dorën ne mes kraharorit për ta ngritur, aty kam vërejtur se personi ishte pa vetëdije por i ka pasur sytë e hapur, në këtë moment kam tentuar t’ja kthej vetëdijen duke ja shkundur fytyrën, duke i thanë zgjohu, në atë moment ka ardhë një qytetar me një shishe ujë dhe me ka dhënë pastaj me ata ujë ja kam hedhur ne fytyrë me bindje qe ti kthehet vetëdija, pastaj ja kam lagur edhe qafen, kam dëgjuar një zë i cili ka thënë se po vjen ambulanca, jam ngritur nga vendi, kam shkuar ne drejtim te automjetit tim për ta larguar nga rruga. Me të arritur ambulanca kam asistuar stafin e emergjencës për ta futur personin në ambulancë.”

Deklarata e policit Liridon Rrahmani

“Une se bashku me kolegun Artidonin ju kemi pergjigjur thirrjes ku per nje kohe te shkurter kemi mbrri ne vendin e incidentit. Me te dalur nga vetura e kam pa nje qytetar i cili ishte i ulur ne nje veture civile Golf 7 ngjyre e bardhe ne ulesen e shoferit, ndersa tek dera e vetures Golf aty ishin koleget Rreshter Ibrahim Nela dhe Albion Retkoceri po ashtu aty prezent ishte pronari i vetures civile dhe nje shok (qytetar) i personit te dyshuar i cili ndodhej ulur ne nje veture civile. Zyrtaret policor se bashku me shoferin e vetures dhe shokun e tij u mundojshin me fjale ta qetsojn pasi qe i dyshuari kishte levizje trupore te pakontrolluara si dhe perdorte nje gjuhe te quditshme citoj “ u kthejke mrapa nga makina edhe pse ne makin nuk ishte askush duke bertitur me ze: largonu prej meje, spo du me ju pa, nuk po ju njoh”, po ashtu ka perdorur edhe fjale te cilat nuk kemi mundur ta kuptojm se qka po thot, i cili ishte ulur ne veturen siq e ceka me larte ne karriken e shoferit por i njejti dy kembet i kishte jashte makine dhe ne menyre te pakontrolluar kapte deren e makines per ta mbyllur me qka i godiste kembet e veta duke mos pasur kontroll ne veprimet e tije dhe ne nje moment te caktuar i dyshuari vete ka dalur nga makina Golf 7 dhe ne ate moment rreshteri ka qenë afer tije dhe e ka kap ne krahun e majt ku une kam intervenuar duke i asistuar rreshterit dhe ne ato momente ka qene reagimi i gjithe zyrtarve policor te cilet kemi perdoren forcen duar thate per ta vene nen kontroll te dyshuarin tani me te ndjer pasi siq e ceka edhe me larte i njejti ka pas reagime trupore deri sa ishte ne veture te pakontrolluara, e kemi shtri per toke me qe rast kemi bere arrestimin e tij dhe kjo ka ndodh e gjitha.”, raporton Klankosova.tv

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.