E konfirmon Qeveria: Kurti takohet sonte në Prishtinë me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sonte në mbrëmje në Prishtinë me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Takimi do të zhvillohet në një darkë pune të organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili bëri të ditur se takimi vjen në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerin kryesor ndërkombëtar të Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lexo edhe:
Hoti: Osmani e Kurti e luftuan Marrëveshjen e Uashingtonit, sot po mundohen ta përvetësojnë
I dyshuari për armë dhe drogë vetëdorëzohet në polici në Pejë, ndalohet për 48 orë
Murati: Komuna e Prishtinës ka shpallur tender mbi 16 milionë euro që grumbullimin e mbeturinave t’ia japë një kompanie private
“Kryeministri Kurti do të takojë sot në mbrëmje zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, në një darkë pune të shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Prattipati”, ka thënë Kryeziu për Reporteri.net.

Diplomati amerikan ditë më parë ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, ku përveç Kosovës, ai kishte paralajmëruar vizitë në Bosnjë dhe Herecegovinë dhe Serbi.

“Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Uashington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon.”, ka shkruar ai në platformën X më 9 korrik.

I am headed to Bosnia and Herzegovina, Serbia, and Kosovo following productive conversations in Dayton and Washington. It is an important anniversary and pivotal time in the Western Balkans. I look forward to reinforcing ties between the U.S. and countries in the region.

— Senior Bureau Official Brendan Hanrahan (@StateEUR) July 9, 2025

Zyrtari i lartë amerikan gjatë qëndrimit në Kosovë pritet të takohet edhe me përfaqësues dhe liderë nga partitë parlamentare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të enjten tha se shkak të një udhëtimi urgjent që do ta ketë ditën e dielë, nuk do të mund ta takojë zyrtarin e lartë amerikan, por se LDK-në tha se do ta përfaqësojë në takim nënkryetarja, njëherit deputetja Hykmete Bajrami.

“Kam deleguar deputeten Hykmete Bajrami për shkak të një takimi urgjent që do ta kem ditën e diel, deputetja dhe nënkryetarja e LDK-së do të jetë në atë takim, ne do të flasim për pozicionin tonë politik, për 15 pikat e qeverisë së unitetit, dhe njëra prej atyre pikave ka qenë partneriteti afatgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është një takim njoftues në këtë fazë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Takim me diplomatin amerikan ditë më parë ka pasur edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA. /Reporteri.net/.