Durrës/ Plagosi rëndë me thikë 70 vjeçarin, arrestohet nga policia autori

E ndante kokainën në dhjetëra porcione për shitje, pranga 22 vjeçarit në Durrës
Plagosi rëndë me thikë një 70 vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta, pas ndërhyrjes së policisë vihet në pranga autori i dyshuar.

Sipas bluve të Durrësit, pas plagosjes autori u largua, por u kap disa minuta pas ndjekjes nga shërbimet e Komisariatit. Pasi u ndalua, autori kishte me vete mjetin prerës (thikë) me të cilin kreu plagosjen.

‘Si rezultat i ndërhyrjes profesionale, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin A. Sh., 67 vjeç, banues në lagjen nr.11, Durrës.

Arrestimi i tij u bë pasi dje, në lagjen nr. 11, Durrës, në zonën e njohur si “Lulishtja”, pranë sheshit “Pranvera”, gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe një debati verbal me fjalë fyese, ai goditi me mjet prerës (thikë) shtetasin F. T., 70 vjeç, banues në të njëjtën lagje, duke e plagosur rëndë. I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, në kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilin u krye plagosja’, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.