Duda Balje zbulon propozimin e Limajt: S’dua poste, as para – vetëm komunë për boshnjakët

Nesër pritet të zhvillohet seanca e 52-të e Kuvendit të Kosovës, një seancë vendimtare pasi përmbush afatin kushtetues prej 30 ditësh, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në qendër të kësaj seance është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, por situata mbetet e paqartë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.

Edhe pse kanë nisur bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe NISMA-s së Fatmir Limajt, llogaritjet aktuale tregojnë se janë siguruar vetëm 60 vota – një më pak se minimumi prej 61 votash të nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Një ndër figurat që mund të ndikojë në këtë proces është deputetja boshnjake Duda Balje, e cila ka deklaruar se nuk do të mbështesë Kurtin dhe nuk kërkon poste politike.

Në një intervistë për Indeksonline, Balje thekson se ka pasur komunikim me Fatmir Limajn, por jo me Vetëvendosjen, dhe se vendimi i saj është i palëkundur: “Me Fatmirin kemi biseduar, por me Vetëvendosjen jo. Jam një person që nuk lëviz me vendimin. Ai e ka kuptuar arsyetimin tim.”, tha ajo për IndeksOnline.

Ajo thotë se ka marrë ofertë nga Limaj për të diskutuar mundësi, por nuk ka pranuar asgjë: “Jo kurgjo, veç ai (Fatmir Limaj v.j.) ka thënë: ‘a ka mundësi me bisedu, a don naj pozitë, a naj sen?’ – Unë s’du pozitë, s’du kurgjo, kërkesa ka qenë për boshnjakët.”.

Balje shprehet se mungesa e besimit e bën të pamundur bashkëpunimin me Kurtin: “Unë nuk mundem me bashkëpunu me Albin Kurtin sepse nuk kam besim – s’mundesh me punu me dikë që s’ki besim, edhe ai s’ka besim tek unë.”.

Deputetja shton se ndaj saj ka nisur një fushatë personale: “Ka fillu një luftë personale ndaj meje – për herë të parë në histori ka nisë një betejë personale ndaj një deputeteje.”.

Ajo ka ngritur shqetësime për një deklaratë të deputetit të LVV-së, Arbër Rexhaj, që sipas saj ka përmendur emrin e saj në kontekst të Këshillit të Sigurisë: “A e dini çka është Këshilli i Sigurisë? Qysh një deputet me pas informacion prej andej?”.

Balje thekson se kërkesa kryesore e saj është përfaqësimi i komunitetit boshnjak përmes komunës, e jo përfitimet personale: “Kërkesa ka qenë për boshnjakët.”.