Drita mëson kundërshtarin për rrethin e tretë të Ligës së Kampionëve nëse arrin të bëjë mrekulli duke eliminuar Copenhagen
Drita ka shkruar histori këtë edicion duke u kualifikuar për herë të parë në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve, pasi mposhti në rrethin e parë Differdangen me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Skuadra nga Gjilani vazhdon të ëndërrojë më tej, teksa përballet me gjigantin danez, FC Copenhagen.
Kjo përballje është padyshim sfida më e madhe në historinë e klubit, por nëse Drita arrin të bëjë mrekullinë dhe ta eliminojë kampionin danez, atëherë do të përballet me fituesin e çiftit Riga (Letoni) – Malmo (Suedi) në rrethin e tretë.
Ky është një rast unik për Dritën, e cila jo vetëm që përfaqëson Kosovën në nivelet më të larta të futbollit evropian, por po e bën këtë me paraqitje dinjitoze dhe ambicie të qartë.
Në rast eliminimi nga Copenhagen, Drita do ta vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Evropës, ku gjithashtu janë përcaktuar kundërshtarët e mundshëm për rrethin e tretë.
Kampioni i Kosovës do të përballet me një nga humbësit e këtyre çifteve: Lech Poznan – Breidablik, Shkëndija – Steaua Bukuresht ose Hamrun Spartans – Dynamo Kyiv. Çifte me emër dhe përvojë në garat evropiane.