Distria Krasniqi në pullat postare të Kosovës

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e ri të pullave postare me titull “Distria Krasniqi”, duke nderuar një nga sportistet më të mëdha që ka njohur vendi ynë.

Ky emision i veçantë filatelik i kushtohet kampiones botërore dhe olimpike në xhudo, Distria Krasniqi, e cila është shpallur xhudistja më e mirë në botë për vitin 2025, në të gjitha kategoritë.

E lindur më 10 dhjetor 1995, Distria nisi rrugëtimin e saj sportiv që në moshë të re, duke sjellë suksese të jashtëzakonshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Që nga shpallja kampione bote për U21 në vitin 2015, ajo ka shkëlqyer në turne të rëndësishëm si “Grand Slam” në Paris dhe “European Open” në Sofje.

Në vitin 2021, Distria rrëmbeu medaljen e artë në “World Judo Masters” në Doha – një moment historik për sportin kosovar. Në Kampionatin Botëror të Xhudos “Budapest 2025”, ajo vazhdoi shkëlqimin me medaljen e argjendtë, duke konfirmuar statusin e saj si ikonë e sportit tonë kombëtar.

Përmes këtij emisioni, Posta e Kosovës nderon një histori suksesi dhe frymëzimi, duke e shndërruar imazhin e Distrias në një simbol që do të udhëtojë përtej kufijve, si ambasadore e vlerave tona kombëtare.

Pamjet e pullës dhe informatat për këtë emision janë siguruar në bashkëpunim me Federatën e Xhudos në Kosovë. Emisioni përmban një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë dhe do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë.
Distria Krasniqi në pullat postare të Kosovës