Garuesi nga Kosova, Shkëlzen Goqi, është diskualifikuar nga një garë tradicionale kërcimesh në ujë të mbajtur dje në “Urën e Vezirovit” në Podgoricë, pas gjestit simbolik të shqiponjës që është interpretuar si provokues nga organizatorët dhe një pjesë e publikut.
Goqi, i njohur në Kosovë për kërcimet nga lartësia dhe me origjinë nga Gjakova, kishte bërë simbolin e shqiponjës dykrenare para kërcimit të tij, një gjest i zakonshëm mes sportistëve shqiptarë për të shprehur identitetin kombëtar.
Sipas mediave malazeze, ky veprim u shoqërua me fishkëllima nga publiku, ndërsa më pas juria vendosi diskualifikimin e tij, pasi organizatorët e kanë konsideruar këtë gjest si “shkelje të rregullave të manifestimit”.
Edhe sekretari për sport i Podgoricës, Darko Nikçeviq, ka konfirmuar vendimin për diskualifikim, duke theksuar se “rregullat e manifestimit ndalojnë qartë shfaqjen e simboleve dhe porosive të papërshtatshme politike, kombëtare apo të natyrave të tjera”, transmeton Anadolu.