Deputeti gjerman: Legjitime kërkesa e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut

Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, thotë se Serbia nuk mund të kërkojë të drejta për serbët në Kosovë, e të shkelë ato të shqiptarëve në Preshevë.

Ai thotë se e sheh legjitime kërkesën e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës.

“Pakica serbe në Kosovë ka të drejtë legjitime të kërkojë të drejtat e veta. Përse të mos vlejnë standardet që kërkon qeveria serbe për serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Serbi? Unë mendoj se këto standarde duhet të vlejnë për të gjitha pakicat – për pakicat në Serbi, si edhe për pakicat në Kosovë. Prandaj unë e gjej legjitime kërkesën e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës që moderon BE-ja. Unë e mora këtë kërkesë si detyrë për punën time dhe do ta adresoj”, ka deklaruar ai.

“Sa i përket pakicës shqiptare në Serbi, ka tre marrëveshje për të cilat Serbia është zotuar. Ato përmbajnë detyrime të qarta për integrimin e shqiptarëve në administratë, gjyqësor, polici dhe në përfaqësimin politik. Këto marrëveshje duhet të zbatohen – sepse janë parakusht për perspektivën e Serbisë drejt BE-së”, ka deklaruar ai për Dojçe Vele.