Dënohen me 12 vjet burgim gjithsej tre të akuzuar për sulmin ndaj KQZ-së në veri

(Lajm i përditësuar)

Milenkoviq dhe Vlajiq dënohen me nga 5 vjet burgim, Pantiq me 2, kurse Vakiq lirohet nga akuza për sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq dhe Aleksander Vlajiq, të akuzuar për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të 2022-ës. Pantiq u dënua me 2 vjet burgim, Milenkoviq dhe Vlajiq me nga 5 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq u lirua nga akuza.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjyqtari Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, Millenkoviq u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale terroriste dhe u dënua me 5 vjet burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit.

Pantiq pasi iu ricilësua vepra penale, u shpall fajtor për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe u dënua me 2 vite burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Aleksander Vlajiq u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale terroriste dhe u dënua me 5 vjet burgim.

Kurse, Miomir Vakiq u lirua nga akuza. I njëjti lirohet edhe nga shpenzimet e procedurës penale.

Ndërkaq, tre të akuzuarit që u dënuan me burgim, obligohen të paguajnë nga 200 euro për shpenzimet e procedurës dhe nga 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest civil.

Kundër këtijj aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 janar 2024, të akuzuarit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihet në barrë.

Ndryshe, sipas aktit akuzues thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.

Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe tre të tjerët.

Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.

Gjykata në Prishtinë pritet të shpallë aktgjykimin për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së

Më 28 korrik, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pritet të shpallet aktgjykimi në rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022. Për këtë rast janë të akuzuar Millun Millenkoviq – Llune, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq dhe Miomir Vakiq.

Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “akt terrorist”. Ata akuzohen se kanë sulmuar zyrat e KQZ-së me bomba dore dhe mjete shpërthyese, me qëllim – siç thuhet në aktakuzë – “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Sipas prokurorisë, nga ky sulm janë rrezikuar seriozisht jetët e zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në seancën e parë, të mbajtur në fund të janarit 2024, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Millenkoviq dhe Vllajiq ndodhen në paraburgim, ndërsa Vakiq dhe Pantiq po mbrohen në liri.

Kush është Millun Millenkoviq – Llune?

Ai përmendet si organizatori kryesor i sulmit ndaj zyrave të KQZ-së. Pas arrestimit të tij më 13 qershor 2023 në Mitrovicën e Veriut, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Policia kishte arrestuar “njërin nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’, i cili ka drejtuar grupe kriminale që për vite me radhë kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si terroriste.

Sveçla, po ashtu, e ka lidhur Millenkoviqin me organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan, kur tensionet shpërthyen pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Nga përplasjet u plagosën mbi 100 persona nga të dyja palët.

Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka mohuar që Millenkoviq të jetë kriminel, duke e quajtur “luftëtar të shquar për interesat kombëtare serbe në veri të Kosovës”. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte reaguar pas arrestimit, duke thënë se ka biseduar me zyrtarë ndërkombëtarë për këtë çështje.

Procesi gjyqësor dhe dëshmitë e Prokurorisë

Deklaratat përfundimtare të mbrojtjes u dhanë të premten, ku u theksua se aktakuza pjesërisht bazohet në komunikime të përgjuara përmes aplikacionit Viber. Avokatët i mohuan akuzat ndaj klientëve të tyre.

Portali “Betimi për Drejtësi”, që ndjek rregullisht proceset gjyqësore në Kosovë, raportoi se avokati Lubomir Pantoviq deklaroi se të gjitha provat e përfshira në aktakuzë mbështeten në raporte dhe dokumente policore, pa ndonjë përshkrim konkret të veprimeve të pretenduara të të akuzuarve.

Kush janë të akuzuarit për terrorizëm?

Më 6 dhjetor 2022, në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut u hodhën dy mjete shpërthyese, nga të cilat njëra eksplodoi.

Për këtë rast, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës u arrestua Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, veprim që nxiti krizë në veri dhe vendosjen e barrikadave nga serbët lokalë. Barrikadat u hoqën më 29 dhjetor, pasi një vendim gjyqësor e lejoi Pantiqin të mbahej në arrest shtëpiak.

Më 13 qershor 2023, në Mitrovicën e Veriut u arrestua Millun Millenkoviq – Llune. Arrestimi i tij u pasua nga ndezja e sirenave të alarmit në qytet, çka solli grumbullime të qytetarëve. Gjatë periudhave të tensionuara në veri, këto sirena janë përdorur për të mobilizuar popullatën – dyqanet, barnatoret dhe hapësirat komerciale mbylleshin, ndërsa grupe të organizuara dilnin në rrugë ose vendosnin barrikada.

Nuk dihej kush i menaxhonte këto sirena, por në dhjetor 2023, Policia e Kosovës njoftoi se kishte konfiskuar në Mitrovicën e Veriut një sirenë alarmi me gjashtë altoparlantë.

Aleksandar Vllajiq u arrestua nën dyshimin se kishte mbledhur dhe transmetuar informacione konfidenciale për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). Ai u akuzua më pas në një rast të veçantë për spiunazh dhe në fillim të qershorit u dënua me pesë vjet burg. Vllajiq e pranoi fajësinë për rastin e spiunazhit, por e mohon përfshirjen në sulmin ndaj KQZ-së.

Gjatë gjykimit, prokuroria paraqiti prova se edhe Miomir Vakiq ka qenë i përfshirë në sulm. Janë prezantuar mesazhe që ai ka shkëmbyer me të akuzuarin Dejan Pantiq, në të cilat Pantiq shkruan: “Këtu po bien dardhat”, ndërsa Vakiq i përgjigjet: “hidhuni ndonjë mollë”.

Sipas prokurorisë, kjo gjuhë e koduar nënkuptonte vendndodhjen e policisë dhe përdorimin e bombave. /REL/