Daku bëhet lojtari më i paguar i kombëtares, miliona euro siguron në Rusi

Mirlind Daku ka rinovuar kontratën me Rubin Kazanin, duke arritur një marrëveshje të re që do ta mbajë në klubin rus deri në vitin 2029.

Sipas mediave ruse, sulmuesi 27-vjeçar i kombëtares shqiptare do të përfitojë 3 milionë euro në sezon me kontratën e re, shumë kjo që përfaqëson një rritje të ndjeshme në krahasim me kontratën e mëparshme, ku përfitonte 700 mijë euro në vit.

Rinovimi i Dakut vjen mes spekulimeve për një transferim të mundshëm te Zeniti.

Sipas raportimeve, Zeniti kishte arritur marrëveshje me Rubin Kazanin për transferimin e tij, por negociatat kishin ngecur me vetë lojtarin.

Daku kishte refuzuar ofertën e klubit nga Shën Petersburgu, e cila i ofronte një pagë prej 2.2 milionë eurosh në sezon.

Sulmuesi shqiptar kishte kërkuar 3.5 milionë euro në vit, kërkesë që Zeniti nuk kishte pranuar ta përmbushte.

Përfundimisht, Daku ka zgjedhur të qëndrojë në Kazan, ku jo vetëm që do të luajë një rol të rëndësishëm në skuadër, por do të përfitojë edhe një kontratë shumë më të favorshme financiarisht.