Çmimet e kafesë mund të rriten ndjeshëm nëse tarifat e Trump për importet nga Brazili mbeten në fuqi
Konsumatorët amerikanë mund të presin një rritje të ndjeshme të çmimit të produkteve bazë si kafeja nëse administrata Trump i përmbahet planit të saj për të vendosur tarifa prej 50% për të gjitha importet nga Brazili, thanë ekspertët e fushës.
Ata vunë në dukje se tarifat e propozuara të importit do të pengonin dërgimin e kafesë braziliane në Shtetet e Bashkuara, blerësin e saj më të madh, pasi as pjekësit amerikanë dhe as eksportuesit brazilianë nuk do të ishin në gjendje të kapërcenin hendekun e çmimeve që do të rezultonte nga taksat e reja, raportoi Reuters.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën rriti tarifat e importit për produktet braziliane nga 10 në 50 për qind, duke filluar nga 1 gushti, pavarësisht se SHBA-të kanë një suficit tregtar prej 7.4 miliardë dollarësh me Brazilin.
Rreth një e treta e kafesë së konsumuar në Shtetet e Bashkuara, konsumatori më i madh në botë i kësaj pijeje, vjen nga Brazili.
Vendi i Amerikës së Jugut dërgoi 8.14 milionë qese 60 kilogramëshe në Shtetet e Bashkuara në vitin 2024, 30 për qind
më shumë se në vitin 2023, sipas grupit brazilian të eksportuesve Cecafe.
Ndërmjetësi dhe konsulenti i lartë i kafesë, Michael Nugent, tha se “SHBA-të do të blejnë kafe nga dikush tjetër – Kolumbia, Hondurasi, Peruja,
Vietnami, por jo me sasinë ose çmimin që ofron Brazili”.
“Nga ana tjetër, nuk mendoj se do të ishte ekonomikisht fitimprurëse të shitej kafe braziliane në SHBA me një tarifë prej 50 përqind”, shtoi ai.