CEO dhe vartësja e tij u kapën ‘mat’ në koncertin e Coldplay, kompania punëson aktoren e njohur për t’i rregulluar imazhin

Kompania amerikane e teknologjisë, drejtori dhe drejtuesja e burimeve njerëzore të së cilës dhanë dorëheqjen pasi u kapën në kamera duke u përqafuar në një koncert të Coldplay, ka publikuar një video promovuese me humor, ku aktorja Gwyneth Paltrow shfaqet si “zëdhënëse e përkohshme”.

Në klipin 60-sekondësh të postuar në llogarinë X të kompanisë Astronomer, ylli i Hollywood-it, Paltrow – e cila ka qenë e martuar për më shumë se 10 vjet me këngëtarin e Coldplay, Chris Martin – thotë se dëshiron t’u përgjigjet “pyetjeve më të shpeshta” që i janë drejtuar së fundmi kompanisë.
E para prej këtyre pyetjeve, që shfaqet si mbishkrim në ekran, lexon: “OMG! What the actual f”, ndaj së cilës Paltrow përgjigjet: “Po, Astronomer është vendi më i mirë për të përdorur Apache Airflow”, dhe e përfundon përgjigjen duke thënë se kompania është “e lumtur që kaq shumë njerëz kanë një interes të ri për automatizimin e proceseve të të dhënave”.
Kur një pyetje tjetër pyet sesi po e përballon ekipi i rrjeteve sociale këtë situatë pasi videoja u bë virale, Paltrow thotë se ende ka vende të lira për konferencën e ardhshme.

Ajo e mbyll klipin – i cili është parë mbi 27 milionë herë – duke falënderuar shikuesit për “interesin ndaj Astronomer” dhe shton se kompania do të kthehet “te ajo që bën më mirë”.
“Është një video shumë e zgjuar,” thotë Jordan Greenaway, CEO i firmës së PR Profile.
“Të gjithë kanë dëgjuar për këtë skandal, të gjithë kanë parë videon. Por po të dilje në rrugë dhe të pyesje dikë se kush është CEO i Astronomer, do të thonin ‘ai tipi në videon e Coldplay’. Por nëse pastaj do të pyesje ‘çfarë bën në fakt Astronomer’, do të të përgjigjeshin: ‘është një farë kompanie teknologjie’.”
Sipas Greenaway, skandali viral nuk pritet të ketë ndikim të madh negativ te Astronomer në të ardhmen, sepse “nuk prek thelbin e cilësisë së produktit të tyre”.
Ai thotë se qëllimi i kompanisë ishte të rriste ndërgjegjësimin për markën në publikun e gjerë, në mënyrë që të mos mbahet mend vetëm si kompania ku CEO pati një aferë.

“Ka PR që zgjedhin humorin si mënyrë për të kaluar krizën. Në shumicën e rasteve, nuk funksionon. Por Astronomer po përpiqet ta bëjë këtë pikërisht tani,” thotë ai. “Në vend që të shmangin situatën, ata po përballen me të direkt. Dhe kjo shpesh është një strategji e mirë kur kriza është aq e madhe dhe e njohur, sa nuk mund ta fshehësh dot.”
Greenaway e krahason këtë rast me skandalin e mishit të kalit në vitin 2013, kur u zbulua se në disa produkte të mishit të viçit në Europë ishte përdorur mish kali.

“Në atë rast, nuk do të kishte qenë e përshtatshme ta kthente në shaka duke u shfaqur si një kalë, për shembull, dhe të jepte një deklaratë. Kjo do t’i bënte klientët të thoshin: ‘ky është një problem me cilësinë e produktit tuaj, dhe ju po bëni humor me të’.”

Por natyra e këtij skandali, sipas Greenaway, i jep Astronomer-it më shumë fleksibilitet për ta trajtuar me humor, sepse kompania ofron shërbime të të dhënave, jo produkte fizike.

“Ata nuk po bëjnë shaka me cilësinë e produktit, por me CEO-n e tyre, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje.”
Megjithatë, Greenaway thekson se ndërsa Astronomer mund të dalë nga kjo situatë pa shumë dëme, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Andy Byron, CEO-ja që u përfshi në skandal.
“Ai dhe reputacioni i tij janë çështje më vete,” thotë Greenaway. “Nëse Andy Byron do ta kishte kthyer këtë në shaka, do të kishte qenë shumë e padrejtë dhe shumë joetike, sepse ai ishte personi që u soll keq.”

Byron ishte CEO i Astronomer prej dy vitesh kur ai dhe Kristin Cabot u kapën në ekranin gjigant në stadiumin Gillette në Foxborough, Massachusetts, më 16 korrik.
Greenaway thotë se do të kishte ndjekur në përgjithësi të njëjtën strategji që Astronomer ka ndjekur në këtë situatë, po të kishte qenë ai përgjegjës për komunikimin.

“Do ta kisha larguar CEO-n më herët. Po të ishte e mundur, do të kisha dashur të tregoja se etika të tilla drejtuese nuk janë të pranueshme te Astronomer.”

“Por sa i përket kthimit të vëmendjes te kompania dhe ajo çfarë ajo bën në të vërtetë, nuk mendoj se është një mënyrë e keqe për ta trajtuar.”

“Nuk e di nëse do të kisha pasur guximin të bëja atë që po bëjnë ata, por shpresoj që do ta kisha pasur.”
Interesi për Astronomer, e cila e përshkruan veten si “vendi më i mirë për të përdorur Apache Airflow” – një produkt që nuk është zhvilluar nga vetë kompania – është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme që nga momenti kur videoja e ish-CEO-së u bë virale, me disa raporte të pa verifikuara që flasin për një rritje 15.000% të vizitave në faqen e internetit të kompanisë.

Kompania është themeluar në vitin 2018 dhe ofron shërbime për bizneset që duan të përfitojnë nga Inteligjenca Artificiale (AI).

Sipas Wall Street Journal, Astronomer thotë se ka punuar me Apple, Ford dhe Uber.
Pete DeJoy, bashkëthemelues dhe drejtor i produkteve, është emëruar si CEO i përkohshëm, dhe të paktën arrin të shohë një anë pozitive nga gjithë kjo vëmendje që ka marrë kompania.
“Vëmendja ka qenë e pazakontë dhe surreale për ekipin tonë, dhe megjithëse nuk do të kisha dashur të ndodhte në këtë mënyrë, Astronomer tani është një emër i njohur për të gjithë,” shkroi ai në LinkedIn.

Deklarata e vetme që kompania kishte bërë më parë ishte në platformën X, dy ditë pas koncertit të Coldplay:
“Astronomer është e përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që na kanë udhëhequr që nga themelimi. Liderët tanë priten të jenë shembull si në sjellje ashtu edhe në përgjegjësi,” thuhej në deklaratë, ndërsa njoftohej se ishte nisur një hetim zyrtar.

Gjatë koncertit, Chris Martin, vokalisti i Coldplay, kur pa momentin që Byron dhe Cabot fshiheshin nga kamera, tha nga skena: “Ose janë në një aferë, ose janë thjesht shumë të turpshëm.”

Dhe nëse po pyesni se çfarë ndikimi pati kjo në ish-bashkëshortin e Paltrow, Chris Martin, dhe në grupin Coldplay, Greenaway mendon se është neutral.
“Nuk mendoj se kjo rriti ndërgjegjësimin për ta… publiku ka vetëm një gjë në mendje, dhe ajo është videoja në Kiss Cam. Ajo mbulon çdo gjë tjetër.”