Izraeli ka kritikuar planet e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator.
Ministria e Jashtme thotë se ky vendim është një “shpërblim për Hamasin” dhe dëmton përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza.
“Ndryshimi i qëndrimit të qeverisë britanike në këtë kohë, pas veprimit francez dhe presioneve të brendshme politike, përbën një shpërblim për Hamasin dhe dëmton përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një kornizë për lirimin e pengjeve”, thuhet në deklaratë.
Theksojmë se kryeministri britanik, Keir Starmer ka deklaruar se Izraeli duhet të plotësojë katër kushte, që mos të ndodhë njohja e Palestinës, raporton skynews.
Starmer ka deklaruar se Izraeli duhet të ndërmerr hapa thelbësorë për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza, arrin një armëpushim, bën të qartë se nuk do të ketë aneksim të Bregut Perëndimor dhe angazhohet për një proces paqeje afatgjatë që ofron një zgjidhje me dy shtete.
Kujtojmë se Starmer po përballet me presion në rritje brenda Partisë së tij Laburiste për të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, që u theksua edhe më shumë pas njoftimit të fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili njoftoi se Franca do të njohë një shtet palestinez në shtator.
Ndryshe, SHBA-ja, Italia dhe Gjermania nuk do të lëvizin drejt njohjes së një shteti palestinez.