Berisha paraqitet në SPAK, zbulon letrën që i dorëzoi Altin Dumanit

Në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Berisha u prit me entuziazëm nga një grup mbështetësish dhe pas daljes nga SPAK mbajti një deklaratë për mediat, ku zbuloi edhe letrën që i ka dorëzuar drejtuesit të institucionit, Altin Dumani.

Gjatë fjalës së tij, Berisha vijoi akuzat ndaj kreut të SPAK për, siç u shpreh ai, “mbrojtjen e krimeve zgjedhore dhe atyre mjedisore të kryera nga qeveria”.

“Altin Ttoplini me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore,këto të fundit kryekëput qeveritare, dëshmon se pas Ramës është de facto përgjegjësi më kryesor, delinkuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri. Kjo u la në këtë prokurori,” tha Berisha.

Kryedemokrati denoncoi gjithashtu djegien e mbetjeve në fushat e plehrave në Elbasan dhe Vlorë, duke i cilësuar si “krime të rënda mjedisore që rrezikojnë jetën e banorëve” dhe për të cilat tha se janë në kompetencë për t’u hetuar nga SPAK.

“Siç jeni informuar, për 6 ditë me radhë qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti dhe ky krim i rëndë mjedisor, sikundër krimi ciklik mjedisor në Vlorë, nuk ekziston për Altin Troplinin, paçka se ligji ia ngarkon kësaj prokurorie për shkak se konsiderohen krime të rënda. Ky mercenar i Edi Ramës ka vendosur institucionin në funksion të partisë së krimit dhe të qeveritarëve të krimit,” deklaroi Berisha.