BDI: VLEN-i dhe bixhozi: Premtuan mbyllje totale, sollën prani totale!

Disa parti flasin sikur po luftojnë bixhozin, por veprojnë sikur janë zëdhënësit e tij.

VLEN-i premtoi se do t’i mbyllte kazinotë. E sot, falë tyre, kazinotë i kemi më afër se kurrë, midis lagjeve, pranë shkollave, përballë xhamive, kudo. Nga “mbyllja totale”, në praninë totale.

Kjo është ironia e zezë e një fushate të ndërtuar mbi gënjeshtra, ku premtimi ishte mbyllja, ndërsa rezultati është lulëzimi i industrisë së bixhozit.

Kur industria e lojërave të fatit protestonte përballë Kuvendit, VLEN-i nuk ishte në anën e qytetarëve, ishte në anën e kazinove.
Kur u propozua një ligj serioz, që do t’i mbyllte dhe dislokonte bastoret, ata ishin kundër. Kur VMRO hodhi “ashte” në formë postesh dhe privilegjesh, VLEN-i u përfshi i entuziazmuar.

Sot ata duan të lavdërohen për një ligj që është më shumë se maskim. Një ligj që s’i prek dot as kazinotë e lagjeve, as bastoret në çdo cep, as bixhozin online që u rrit më shumë se kurrë. Një ligj që është shumë më i dobët se ai që vetë e rrëzuan më parë.

A ka nevojë për më shumë prova?

VLEN-i sot përfaqëson më shumë interesat e kazinove sesa të qytetarëve. Nga “luftëtarë të bixhozit” u shndërruan në mbrojtës të tij. Nga premtime me bujë, në mbrojtës të monopolit në këtë industri.

Nëse dikush ende ka dyshime se kush përfiton nga prania e pakontrolluar e bastoreve dhe kazinove, le t’i shikojë qëndrimet dhe pozicionet e VLEN-it.
Ata nuk po luftojnë bixhozin – po e menaxhojnë atë për interesa të veta.

Premtuan mbyllje, sollën shpërndarje. Premtuan mbyllje, përfunduan në koalicion me kazinot.
Premtuan mbyllje, përfunduan në kontroll për interesa private.

VLEN-i, një mashtrim i radhës që po i kushton shtrenjtë qytetarëve!