BDI: Jo për “botën serbe” në Maqedoni-Po rrugës së sigurt euroatlantike dhe bashkëjetesës ndëretnike

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me shqetësim ndaj drejtimit që ka marrë politika e jashtme dhe e brendshme e Qeverisë aktuale, duke e cilësuar atë si të rrezikshme për orientimin strategjik të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në një deklaratë zyrtare, BDI akuzon qeverinë se po promovon retorikë dhe veprime me ngjyrime proruse dhe pro-hungareze, duke lënë në hije lidhjet me partnerët strategjikë të vendit. Në këtë kontekst, përmendet me shqetësim ndërtimi i marrëdhënieve të veçanta me Hungarinë dhe Serbinë, ndërkohë që projekti strategjik i Korridorit 8 – që e lidh vendin me Shqipërinë dhe Bullgarinë, anëtare të BE-së dhe NATO-s – po neglizhohet në favor të Korridorit 10.

BDI ndërlidh këtë orientim të ri me vizitën e fundit në Shkup të liderit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, i njohur për qëndrimet e tij anti-perëndimore dhe lidhjet e ngushta me Moskën dhe Beogradin. Gjatë pritjes zyrtare që iu bë në Shkup, Dodik përdori foltoren për të rritur euroskepticizmin në opinionin publik dhe për të sfiduar drejtpërdrejt orientimin euroatlantik të vendit.

Në deklaratë, BDI ngre alarmin edhe për praninë në rritje të figurave fetare me prirje lindore në aktivitete shtetërore dhe për donacionet me prejardhje serbe, siç është rasti i fundit në Tetovë – duke i parë këto si pjesë të një agjende të koordinuar që dobëson orientimin drejt Perëndimit.

“Sot jemi dëshmitarë të një zhvendosjeje të prioriteteve shtetërore, ku në vend të thellimit të integrimit euroatlantik, po vihet në lëvizje një strategji që na largon nga vlerat e BE-së dhe NATO-s,” theksohet në reagim.

BDI kritikon gjithashtu mungesën e progresit në procesin e ndryshimeve kushtetuese, që u premtuan në afat prej 3 deri në 6 muaj pas formimit të qeverisë, por që sipas saj tani janë zhdukur nga diskursi politik.

“Koha e të vërtetës po afrohet. Ndëshkimi qytetar për këto politika që largojnë vendin nga përcaktimet strategjike do të jetë i pashmangshëm dhe masiv,” përfundon deklarata e BDI-së, duke ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e kursit euroatlantik, të infrastrukturës integruese dhe të barazisë ndërmjet komuniteteve.