BDI akuzon Komunën e Tetovës për keqmenaxhim dhe abuzim me buxhetin e NPK-së: “Ku përfundojnë paratë e qytetarëve?”

Liridon Disha, koordinator i grupit të këshilltarëve të BDI-së në Këshillin Komunal të Tetovës, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së rëndë në Ndërmarrjen Publike Komunale (NPK) “Tetova”. Ai ka ngritur akuza për keqmenaxhim të qëllimshëm dhe për abuzim të rëndë me fondet publike nga udhëheqësia aktuale komunale, të udhëhequr nga kryetari Bilall Kasami.

“Nëse as buxheti prej 60 milionë denarësh për vitin e kaluar nuk mjaftoi për të siguruar pagat bazë të punëtorëve, atëherë sa para duhet të japin qytetarët që udhëheqësit e komunës të mjaftohen?”, ka deklaruar Disha transmeton Tetovasot.

Sipas tij, edhe pse buxheti i ndërmarrjes është trefishuar gjatë vitit të fundit, punëtorët janë në një situatë të pashpresë – me katër paga të papaguara dhe mbi një vit pa sigurim shëndetësor.

Ai kërkon hetim të menjëhershëm dhe transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse:
“Ne ngrisim dyshime serioze për rrjedhje fondesh dhe keqmenaxhim sistematik. Prandaj pyesim publikisht kryetarin Kasami: Në xhepat e kujt përfundojnë paratë publike të NPK-së?”, theksoi ai informon Tetovasot.

Disha gjithashtu kërkoi publikimin e listës së të punësuarve në këtë ndërmarrje, si dhe një auditim të pavarur të financave, duke shtruar pyetjen:
“Sa persona të afërt me partinë janë ‘rehatuar’ me kontrata të dyshimta, ndërkohë që punëtorët e vërtetë mbeten pa rroga?”

Në fund të reagimit të tij për Tetovasot, Disha shton:
“Punëtorët e ndershëm të NPK-së nuk e meritojnë këtë trajtim poshtërues. Tetovarët nuk meritojnë të zhvaten dhe të mashtrohen për interesa politike apo familjare. Kërkojmë përgjegjësi – tani!”