Basketbollisti amerikan arrestohet për një borxh shumë të vogël

Basketbollisti amerikan Marcus Morris, 35 vjeç, është arrestuar në Florida dhe po mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht.

Arrestimi erdhi pas një urdhri të lëshuar nga një shtet tjetër federal për shkrimin e një çeku pa mbulim.

Pas publikimit të lajmit, menaxheri i lojtarit, Yony Noy, reagoi dhe sqaroi situatën duke theksuar se nuk bëhet fjalë për mashtrim.

“Sipas informatave që kam, bëhet fjalë për një borxh kazinoje mbi 1,200 dollarë. Në raste të tilla mund të lëshohet urdhër arresti. Është krejtësisht çmenduri,” tha menaxheri.

Morris debutoi në NBA në vitin 2011 me Houston Rockets dhe gjatë karrierës ka luajtur për disa skuadra të njohura, përfshirë Phoenix, Boston dhe LA Clippers.

Prej vitit të kaluar ai është pa klub dhe është i njohur për incidentet e shumta, sidomos për konfliktet me Nikola Jokic dhe Luka Doncic.

Ai kishte kërcënuar Jokicin pas një përplasjeje me vëllain e tij Markieff, ndërsa në vitin 2020 goditi me bërryl në kokë Doncicin, duke shkaktuar kaos në parket dhe përjashtim nga ndeshja.