Banorët sulmojnë me molotov urën dhe bagerin në Theth

Një fadromë e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, e angazhuar në prishjet në zonën e Thethit, është sulmuar me lëndë djegëse të tipit Molotov.

Sipas pamjeve të siguruara nga Euronews Albania, shihet një pjesë e nxirë mbi fadromë, ndërkohë që është tentuar të digjet dhe ura me dru që të çon drejt një pjese tjetër të fshatit.

Mbi urë shihen qartë gjurmët e zjarrit dhe shenjat e djegies, ndërsa flakët kanë rrezikuar edhe mjetin e IKMT.

Aktualisht, forca të shumta të policisë të armatosura shoqërojnë mjetet e rënda të Inspektoratit për të siguruar vijimin e punimeve.

“Rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.

Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.

Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse”, thueht në njoftimin e policisë.