Duhet të ndalet menjëherë projekti i maskuar i “kandidatëve të pavarur” në zgjedhjet lokale që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut pas tre muajsh. Ky është një projekt i rrezikshëm anti-kombëtar, i cili synon të zbatohet vetëm në komunat shqiptare, dhe që po drejtohet nga aleanca e dyshimtë LVV-VMRO-VLEN, e njohur ndryshe si Mafia Urbane.
Kjo nismë duhet të çmontohet sa më parë. U kujtoj përfaqësuesve të LVV-VLEN të mos guxojnë të eksperimentojnë me të ardhmen e rreth një milion shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ne në këtë shtet kemi vendosur një standard të lartë të përfaqësimit politik dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të nëpërkëmben liritë dhe të drejtat tona.
Ali Ahmeti vendosi standardin që shqiptarët të kenë Kryeministrin e vendit. Ndërsa ata që sot përfaqësojnë VLEN-in, po vendosin standardin e nënshtrimit dhe vasalitetit.
I bëj thirrje shtetit shqiptar, lobit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe diasporës sonë anembanë botës, të reagojnë me vendosmëri dhe të dënojnë këtë projekt të rrezikshëm dhe tradhtarët që po e promovojnë atë.
Xhelil Bajrami