Ashpërsohen masat në BE, azilkërkuesit drejt dëbimit!

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, CSU do të duhet të martën (22.07.) të shpjegojë kontrollet kufitare të Gjermanisë në takimin për herë të parë si ministër me homologët e tij nga vendet e BE-së. Por para së gjithash Dobrindt dëshiron të demonstrojë në Kopenhagen “se Gjermania nuk është më në rolin e frenuesit kur bëhet fjalë për çështjet e migracionit në Evropë, por në rolin e drejtuesit”. Ministri i Brendshëm gjerman e kishte deklaruar këtë tashmë në fund të javës së kaluar në samitin e migracionit të thirrur nga vetë ai në Zugspitze, në Gjermani. aty mori pjesë edhe komisionieri i BE për çështjet e Brendshme, Magnus Brunner. “Evropa më në fund po bëhet më e ashpër në politikën e azilit. Kjo është ajo që është vendimtare: Ne mund t’i zgjidhim këto sfida vetëm së bashku – jo secili për veten e tij, jo secili individualisht”, tha Brunner në samit.

Gjermania nis dëbimet në Afganistan, Austria në Siri
Sot në Kopenhagen diskutohet për këtë ashpërsim të ri. Sidomos për “temën e dëbimeve dhe kthimeve, ku së fundmi kemi krijuar mundësi të reja”, tha Brunner, që vetë vjen nga Austria. Së fundmiAustria ka shtuar dëbimet në Siri, kurse Gjermania në Afganistan.

“Këto janë të gjitha hapa jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne nëse mund t’i kthejmë gjithnjë e më shumë kriminelët në vendet e tyre të origjinës”, theksoi ai.

Për këtë qëllim në mars Komisioni i BE-së paraqiti një rregullore të re për kthimin. Ajo përfshin, ndër të tjera, procedura më të rrepta dëbimi dhe të njësuara në të gjithë BE-në, si edhe të ashtuquajtura “qendra kthimi”, ku do të koordinohet dëbimi i azilkërkuesve të refuzuar – duke përfshirë edhe qendra jashtë BE-së nën mbikëqyrjen e autoriteteve kombëtare, së bashku me agjencitë e BE-së si Frontex. Për këtë qëllim, Frontex, Agjencia e Mbrojtjes së Kufijve brenda BE do të marrë trefish më shumë fonde në të ardhmen, sipas Komisionerit të Punëve të Brendshme Brunner. Sipas propozimit të buxhetit të paraqitur nga Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen javën e kaluar, 34 miliardë euro do të ndahen për menaxhimin e migracionit, forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së dhe sigurinë e brendshme.

Vetëm çdo i katërti azilkërkues i refuzuar largohet nga BE
Por edhe më tej shtrohet pyetja: Ku do të dëbohen këta njerëz? Sipas Agjencisë së Azilit të BE-së, kohët e fundit ka pasur rreth 2,700 kërkesa për azil në ditë. Pothuajse gjysma refuzohen menjëherë, por aktualisht vetëm rreth një në katër prej atyre që duhet të largohen, largohen në të vërtetë nga Bashkimi Evropian.

Danimarka, e cila aktualisht mban Presidencën e Këshillit të BE-së prej kohësh është konsideruar si një mbështetëse e vijës së ashpër në politikën e migracionit. Kaare Dybvad, Ministrja Daneze e Migracionit, dëshiron t’i përshpejtojë gjërat: “Ne duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht t’i bindim vendet e treta të marrin mbrapsht shtetasit e tyre. Ne duhet të punojmë urgjentisht për zgjidhje të mëtejshme dhe të reja.”

Marrëveshjet me shtetet e treta në fokus
Një sugjerim që është veçanërisht i rëndësishëm edhe për Ministrin e Brendshëm gjerman është eliminimi i të ashtuquajturit elementi familjar ose lidhjet me një vend. Deri më tani, azilkërkuesit mund të deportohen vetëm në atë vend jashtë BE-së ku kanë familjen ose kanë qëndruar për një periudhë të gjatë. “Ne nuk duam ta mbajmë më më elementinn familjat lidhjet me një vend në mënyrë që ligji evropian të mos na pengojë të arrijmë marrëveshje me vendet e treta”, tha Dobrindt. Mbrojtja nga BE-ja nuk do të thotë domosdoshmërisht mbrojtje brenda BE-së.

Kjo do të funksiononte kështu: Një azilkërkues i refuzuar nuk mund të deportohet në Afganistan për arsye të caktuara – pse jo, për shembull, në Pakistan? Që kjo të ndodhë, vendi do të duhet të jetë në listën e vendeve të treta të sigurta. Komisioni i BE-së tashmë e ka paraqitur një listë të tillë dhe synon ta diskutojë më tej atë me Parlamentin dhe, për shembull, me ministrat e Brendshëm, sipas Brunner. “Këto janë të gjitha masa shumë të rëndësishme dhe ne duhet të veprojmë më shpejt”, shpjegon Komisioneri i BE-së. Bëhet fjalë për t’i bërë ato efektive dhe për të demonstruar besueshmërinë e politikës evropiane të azilit.

Bisedime të vështira për marrëveshje migracioni
Sa i vështirë është ky proces në praktikë, Komisioneri i BE-së Brunner sapo e ka përjetuar. Një numër veçanërisht i madh emigrantësh nisen nga Libia drejt Evropës e mbërrijnë sidomos në ishujt grekë. Bisedimet fillestare të Brunner në Libi rreth një marrëveshjeje për migracionin e ndërprenë papritur: Në vendin e shkatërruar nga trazirat dhe lufta për pushtet, delegacioni i BE-së u shpall “i padëshirueshëm”.

Sfida e radhës për Evropën që tregoi, se pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta zhvendosur jashtë BE “problemin e migracionit”, BE varet gjithnjë e më shumë nga vullneti i palës tjetër./DW