ASh: VLEN nuk mund ta mbrojë çështjen shqiptare me duar të zhytura në korrupsion

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë dhe dënim të prerë ndaj skemave të fundit korruptive ku janë përfshirë drejtuesit e grupimit politik VLEN, veçanërisht në dritën e paralajmërimeve për ndërtime të reja në hapësirën historike të Kalasë së Shkupit – një veprim që rrezikon të tjetërsojë identitetin kulturor dhe arkitektonik të këtij lokaliteti me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për historinë shqiptare.

VLEN, me në krye Izet Mexhitin, nuk mund të flasë në emër të shqiptarëve ndërkohë që është thellësisht e zhytur në afera ndërtimore kriminale dhe marrëveshje të errëta me industrinë e bixhozit, ku përfitimet e paligjshme kapin shifrën mbi 225 milionë euro vetëm nga ndërtimet e egra në Çair dhe pazaret me oligarkët e kazinove. Ky nuk është përfaqësim i shqiptarëve – është përdhosje e interesit publik për interesa personale dhe klanore.

Shembulli më skandaloz është Monopoli i Tetovës, simbol i historisë kolektive shqiptare, i kthyer në një kantier të betonit, përmes një pazari të pistë ku prona u ble për vetëm 7 mijë euro dhe më pas u shit për 5 milionë euro. Ky është krim ekonomik dhe kulturor që meriton hetim dhe ndëshkim, jo heshtje dhe justifikim.

Ndërkohë, një tjetër skandal shpërthen me donacionin prej 800 mijë eurosh nga kompania UNIPROMET për Bilall Kasamin. Bëhet fjalë për një kompani të themeluar në dhjetor 2023, me pronar serb, Ratko Popoviq, me të hyra vjetore prej 2 milionë eurosh dhe fitim neto vetëm 50 mijë euro në vitin 2024. Pyetja është e thjeshtë: Si është e mundur që një kompani me fitim minimal të dhurojë 800 mijë euro në vitin 2025 për një politikan shqiptar? Kush e financon realisht këtë operacion dhe çfarë kërkohet në këmbim?

Ka dyshime serioze se pas këtij “donacioni” fshihen marrëveshje të errëta dhe interesa të huaja, që jo vetëm minojnë integritetin e zgjedhjeve, por edhe komprometojnë çështjen shqiptare në thelb të saj.

VLEN nuk po mbron interesin e shqiptarëve – VLEN po shpëton veten nga përndjekjet ligjore dhe financiare. Kur politikanët shiten, kombi paguan. Kur monumentet shemben për kulla dhe kur biznese me lidhje të dyshimta financojnë fushata politike, atëherë nuk kemi më politikë, kemi tregti me interesin kombëtar.

Aleanca për Shqiptarët fton Prokurorinë Publike, institucionet financiare dhe hetimore, si dhe opinionin vendas dhe ndërkombëtar, të ndjekin me urgjencë këto skandale që rrezikojnë themelin e demokracisë dhe përfaqësimit të ndershëm.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për VLEN-in si mbrojtës. Ata kanë nevojë për drejtësi, për dinjitet dhe për përfaqësim të pastër. Ne do të jemi aty – pa u përkulur, pa u shitur.

Aleanca për Shqiptarët