ASH: Pakti i heshtur mes Qeverisë, industrisë së bixhozit dhe VLEN-it

Aleanca për Shqiptarët (ASH) e udhëhequr nga Arben Taravari ka akuzuar se grupimi politik VLEN dhe drejtuesi i tij Izet Mexhiti, të zhytur në afera ndërtimore me përfitime të paligjshme që kapin shifrën mbi 225 milionë euro vetëm nga ndërtimet e egra në Çair dhe kontratat e pista me oligarkët e industrisë së bixhozit, po heshtin qëllimisht ndaj manovrave të reja për të shtyrë miratimin e ligjit për lojërat e fatit.

“Kjo heshtje është vetë prova e një pazari të heshtur, ku interesat personale dhe aleancat me lobe të fuqishme financiare janë vënë mbi premtimet që u bënë para qytetarëve. Të katandusur pas të mirave materiale, grupimi VLEN është zhytur në gjumë të thellë dhe FLEN kur flitet për mbrojtjen e qytetarëve. Aleanca për Shqiptarët reagon me shqetësim ndaj tentativave të industrisë së bixhozit për të shtyrë miratimin e draft-ligjit të ri për lojërat e fatit për pas zgjedhjeve lokale. Një kërkesë e tillë, që vjen nga Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit (APIS), nuk është asgjë tjetër përveçse një përpjekje për të shpëtuar një industri me ndikim të madh financiar dhe politik nga presioni i opinionit publik dhe nga përballja me të vërtetën e premtimeve që janë dhënë qytetarëve gjatë fushatës së fundit parazgjedhore. Duke kërkuar që ligji të votohet vetëm pasi të përfundojë procesi zgjedhor, industria po përpiqet të blejë kohë, të fitojë hapësirë për negociata të mbyllura dhe të shmangë një ligj që në thelb e prek drejtpërdrejt sistemin që e ka mbajtur gjallë për dekada të tëra”, reagon ASH.

Më tej thuhet se Aleanca për Shqiptarët është e qartë dhe e prerë në qëndrim se nuk e mbështet asnjë version ligji që nuk garanton mbylljen e plotë të industrisë së bixhozit në vend, ashtu siç është premtuar publikisht nga koalicioni VLEN dhe partitë përbërëse të tij.

“Çdo tentativë për të rikompozuar këtë industri, për ta rilyer me fjalë teknike apo terma evropianë, është mashtrim ndaj votuesve dhe dorëzim para lobit të bixhozit, i cili për vite të tëra ka gjymtuar socialisht dhe ekonomikisht komunitetet tona. Kërkesa që ligji të shtyhet për pas zgjedhjeve është sinjali më i qartë se në prapaskenë mund të ekzistojë një pakt i heshtur ndërmjet Qeverisë dhe kësaj industrie, për ta zbutur ose ndryshuar thelbin e ligjit pas momentit elektoral, duke shmangur kështu përballjen me publikun dhe me qytetarët që presin zbatim të fjalës së dhënë. Aleanca për Shqiptarët kërkon publikimin e menjëhershëm të draftit të plotë të ligjit, përfshirje reale të qytetarëve dhe ekspertëve në debat, miratim të ligjit sa më parë, me përmbajtje që garanton mbylljen e pakushtëzuar dhe të pakthyeshme të të gjitha pikave të lojërave të fatit në afatin më të shkurtër të mundshëm. Çdo vonesë është mashtrim. Çdo shtyrje është alibi. Koha për veprim është tani”, reagon ASH.