ASh: Mickoski e ndërpret sërish Kasamin – për të fshehur donacionin 800 mijë euro nga Serbia?

Kryeministri Hristijan Mickoski për të dytën herë brenda dy muajve ndërpreu publikisht kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë një konference për shtyp, duke e ofenduar jo vetëm si përfaqësues politik, por edhe si përfaqësues i qytetarëve të Tetovës. Ky akt nuk është thjesht mungesë respekti, por një tentativë për të mbuluar një skandal të pastër që ka për emër – donacioni prej 800 mijë eurosh nga një kompani serbe me bilanc të dyshimtë.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, si është e mundur që një kompani me pronar serb, e themeluar në fund të vitit 2023, me të hyra prej 2 milionë eurosh dhe fitim neto vetëm 50 mijë euro në vitin 2024, jep “donacion” prej 800 mijë eurosh për Komunën e Tetovës?

Aleanca për Shqiptarët pyet publikisht se kush është Ratko Popoviq, pronari i kompanisë Unipromet, dhe çfarë kërkon realisht nga Tetova dhe nga kryetari Bilall Kasami?

Kjo nuk është bamirësi. Kjo është marrëveshje e dyshimtë, që lind dyshime serioze për përfshirje të mundshme në pastrim parash, korruptim institucional, apo favore të fshehta, ndërtimin e Kishës Ortodokse në Tetovë nëpërmjet kanalizimit të donacioneve të maskuara si ndihma për komunën, apo shfrytëzimin e institucioneve komunale për qëllime të interesave të huaja në zemër të qyteteve shqiptare.

Skandali thellohet edhe më shumë kur kujtojmë se nuk është hera e parë që Bilall Kasami operon në këtë formë. Rasti i shitjes së parkingut të Tetovës nën emrin “donacion” është ende i freskët. Ajo që po ndodh është një model i rrezikshëm i keqpërdorimit të komunës si pronë private dhe shfrytëzimit të qytetit për marrëveshje të fshehta me ndikim të huaj.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Komuna e Tetovës ransparencë të plotë mbi marrëveshjen me kompaninë serbe Unipromet, një hetim nga institucionet për origjinën e fondeve dhe përfitimet që parashihen në këmbim të këtij “donacioni”, por edhe një sqarim publik nga kryeministri Mickoski përse pengon kryetarin e komunës që të përgjigjet para qytetarëve.

Aleanca për Shqiptarët
nuk do të lejon që qytetet shqiptare të shndërrohen në monedhë këmbimi të pazareve politike dhe ekonomike me kompani të lidhura me interesa të dyshimta nga rajoni.

Tetova nuk është në shitje. Dhe shqiptarët nuk janë të verbër. E vërteta do të dalë në shesh shumë shpejt. Tetori është afër, shumë afër.