Asgjë e re, dështon edhe tentativa e 49-të për konstituimin e Kuvendit

Kadrijaj ironizon Kurtin: U kthye nga Greqia, vendi i vetëm me raporte të mira gjatë dy mandateve të tij

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nëse deri më 26 korrik nuk konstituohet Kuvendi, atëherë Gjykata duhet të shqyrtojë mohimin e së drejtës për të kandiduar ndaj Albin Kurtit.

Ajo ironizoi duke thënë se kthimi i Kurtit nga Greqia, shteti që sipas saj ka qenë i vetmi me të cilin Kurti ka pasur marrëdhënie të mira gjatë qeverisjes

“Vërtetë është lajm i gëzuar për gjithë ne që sot u kthye deputeti Albin Kurti prej Greqisë sepse ka qenë vendi i vetëm ku për këtë mandat, për dy mandatet qeverisëse të Albin Kurtit ka pasur raportet të mira”, ka thënë Kadrijaj në një deklarim në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 49-të për konstituim.

Kadrijaj e ka abuzuar Kurtin për uzurpim të insticuioneve.

“Albin Kurti po mburret e po thotë ‘qeverisje 2+’, por nuk është 2+, i ke uzurpuar institucionet”, tha ajo.

Abazi nga LDK: VV-ja ende s’e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arjeta Abazi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për bllokimin e vazhdueshëm të punës së Kuvendit, duke thënë se kjo parti po e trajton pushtetin si pronë personale dhe po e dëmton funksionimin e institucioneve.

Në një deklarim në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 49-të për konstituim, ajo ka thënë se institucioni më i lartë ligjvënës në vend është kthyer në një teatër të stërzgjatur, ku skena politike dominohet nga interesat partiake dhe jo nga nevoja për zgjidhje.

“Seanca pas seance dhe ende s’po arrijmë të ecim përpara. Kuvendi është kthyer në teatër të stërzgjatur, ku aktorët kryesorë janë më shumë të interesuar për skenën sesa për skenarin”, deklaroi ajo.

Abazi ndër të tjera ka thënë se situata aktuale nuk është pasojë e ndonjë emergjence reale, por rrjedhojë e një sjelljeje të papërgjegjshme nga ana e VV-së, e cila sipas saj, nuk po kupton se pushteti duhet të jetë në funksion të qytetarëve, jo i një grupi të caktuar.

“Një parti për 20 vjet që luftoi për të ardhur në pushtet, e sot, në vend se ta përdorë për të ndërtuar, po e shkatërron për shkak të kokëfortësisë dhe arrogancës”, tha Abazi.

Behrami: PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e krijuan Republikën – VV-ja po mban peng shtetin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, e akuzoi Vetëvendosjen për bllokim të qëllimshëm të institucioneve dhe tentim për përmbysje të rendit kushtetues, gjatë fjalimit në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 49-të të konstiuimit.

Në një deklarim nga foltorja e Kuvendit, mikrofonin e së cilës e lëshoi nënkryetarja nga radhët e PDK-së, Sala Jashari, Behrami u shpreh se partitë që kanë mbetur në sallë – PDK, LDK dhe AAK – janë parti që e krijuan Republikën e Kosovës, ndërsa sipas tij, ata që braktisën sallën “nuk kanë besuar kurrë në projektin e shtetit të Kosovës”.

“Kuvendi i Kosovës në këto 49 seanca është ndarë në këto parti që kemi mbetur në sallë për të mbrojtur Kushtetutën. Në partinë që sapo dolën, parti që e keqpërdorin të drejtën për propozimin e kryeparlamentarit, që mbajnë peng shtetin…”, u shpreh Behrami.

Ai akuzoi Vetëvendosjen për shkelje të ligjit dhe të normave kushtetuese, duke theksuar se qëllimi i tyre është përmbysja e rendit kushtetues, ndërsa opozita është duke e mbrojtur atë.

“Nuk do të lejojmë që Kosova të shkatërrohet nga populistë, demagogë dhe autokratë”, shtoi ai.

Behrami kujtoi rrugëtimin historik të partive që përfaqësojnë opozitën aktuale, duke i cilësuar si gjeneratë e rezistencës paqësore, e luftës çlirimtare dhe e shtetndërtimit.

“Janë partitë që e krijuan Republikën. Ishim bashkë në vitet ’90, në frontet e UÇK-së, dhe punuam së bashku për të realizuar ëndrrën shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran – ku Hashim Thaçi në vitin 2008 shpalli pavarësinë pikërisht në këtë foltore,” përfundoi Behrami.

Iu ndal mikrofoni, por Behrami e çon thirrjen në fund: Mos e shkelni Kushtetutën

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami nga foltorja e Kuvendit të Kosovës i bëri thirrje kryesuesit të seancës, Avni Deharit që të mos shkel Kushtetutën.

Edhe pse Behramit iu ndal mikrofoni nga Dehari, ky i fundi nuk e ndali fjalën për ta bërë thirrjen që kryesuesi të kthehet në rënd dite.

“Është mirë që të kthehuni në rendin e ditës dhe të mos e shkelni kushtetutën”, deklaroi Behrami.

​Nura: PDK-ja mund ta votojë Limaj për kryeparlamentar

Deputeti i PDK-së, Fadil Nura, para vazhdimit të seancës së 49-të për tentim të konstituimit të Kuvendit, tha se PDK-ja mund ta votojë kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj për kryeparlamentar, duke theksuar se PDK-ja ka interesim që të krijohen institucionet sa më parë.

Deputeti Nura tha se Limaj ka treguar një virtyt për të pasur pozitë shtetërore me dashurinë ndaj atdheut, e nëse nuk di ka këshilltarë ta mësojnë për këtë pozitë.

“Mendoj që PDK-ja, do të votoj Fatmir Limën për kryeparlamentar.. Limaj ka treguar një virtyt cilin e vlerësoj shumë dhe për me pas një pozitë shtetërore mendoj që njeriu duhet së pari ta dëshiron këtë vend edhe në çoftë se nuk din boll ka këshilltarë që mund ta mësojnë, mendoj se Limaj e do këtë vend. PDK ka interesim që të krijohen institucionet sa më parë, shpresoj që PDK të jep votën Limajt”, tha Nura.

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të dyzet e nëntë herë (49), në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë duke filluar nga ora njëmbëdhjetë. Vazhdimi i kësaj seance vjen pas më shumë se pesë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. /kp

Edhe një dështim për konstituimin e Kuvendit

Të shtunën ka dështuar përpjekja e 49-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

Dështimi ndodhi, pasi që ashtu si herët e kaluara, me mosarritjen e formimit të Komisionit për votim të fshehtë. Vetëm 50 deputetë votuan pro këtij Komisioni.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari theksoi se vazhdimi i seancës së radhës mbahet të hënën në orën 11:00.

“50 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka, abstenim nuk ka. Për sot ndërpritet seanca., vazhdon më 21 korrik në orën 11:00”, tha ai.

Seanca e radhës do të mbahet pas 48 orësh, përkatësisht të hënën në orën 11”. /21Media

Fillon seanca e 49-të për konstituimin e Kuvendit

Ka nisur seanca e 49-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media

Nait Hasani: Limaj i ndërroi fjalët për Kurtin, s’kam votë për të si kryekuvendar

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se ai si deputet s’ka votë për Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit.

Hasani para hyrjes në Kuvend ku do të mbahet seanca e 49 për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se arsyeja për këtë qëndrim është ndryshimi i fjalëve të Limajt për Kurtin, gjatë fushatës dhe pas fushatës.

“Këto ndërrimet e qëndrimeve s’më pëlqejnë dhe s’i mbështes. Kështu që votën time nuk e ka”, ka deklaruar Hasani para mediave.

​Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës për të 49-ën herë sot nga ora 11:00 do të mblidhet për të provuar që të konstituohet pas bllokadës në të cilën ka ngecur qe më shumë se pesë muaj që kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Këtë herë kjo seancë do të mbahet pas disa deklaratave optimiste nga partia e Fatmir Limajt se mund të arrihet një marrëveshje me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila mund të çojë në dhënien fund të këtij cikli të vazhdimit të seancës konstituive.

Partia e Limajt, Nisma, ka tri ulëse në Kuvend, ndërsa qe një kohë është përfolur për një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Albin Kurtit.

Një arritje të marrëveshjes mes këtyre dy subjekteve e ka paralajmëruar bashkëpartiakja e Limajt, Xhevahire Izmaku, e cila dje deklaroi se Limaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do ta arrijnë një marrëveshje në fundjavë.

Ajo mohoi se Nisma ka hequr dorë nga ambicia për postin e kryeparlamentarit, një kërkesë e Nismës që mbajti peng tash e sa kohë një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Kurtit, e cila refuzoi ta japë këtë pozitë që e ka rezervuar për Albulena Haxhiun.

“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, tha Izmaku.

Po ashtu, parlamentarët sot do të mblidhen derisa afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për të përfunduar konstituimin po afrohet.

Kushtetuesja përmes një aktgjykimi tha se deputetët janë të obliguar të konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik megjithëse nuk sqaroi çfarë ndodh nëse kjo nuk arrihet.

Në mes protestash nga një numër i vogël njerëzish dhe shoqërisë civile para Parlamentit, si dhe në mes thirrjesh nga partnerët e Kosovës që politikanët e zgjedhur në Kuvend t’i japin fund bllokadës dhe t’i hapin rrugë institucioneve të reja, partitë politike në Kuvend kanë këmbëngulur në qëndrimet e tyre me partinë e parë, e cila nuk ishte në gjendje të siguronte numrat për ta bërë Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Pasi kjo e fundit s’mori votat e nevojshme në votim të hapur, VV përmes kryesuesit Avni Dehari erdhi me idenë e një komisioni që do të zgjidhte kryeparlamentarin e ri përmes votimit të fshehtë.

Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.

“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani