Bombardimi nga Shtetet e Bashkuara i objektit kryesor bërthamor iranian në Fordow “e ka dëmtuar rëndë” këtë qendër, deklaroi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi në një intervistë për CBS News.
“Askush nuk e di saktësisht çfarë ka ndodhur në Fordow. Ajo që dimë është se objektet janë dëmtuar seriozisht. Organizata e Energjisë Bërthamore e Republikës Islamike të Iranit po kryen një vlerësim të plotë dhe raporti për këtë do t’i dorëzohet qeverisë”, u shpreh Araghchi në intervistën e transmetuar të hënën.
Sipas gazetës The Washington Post, e cila citon katër burime të njohura me informacionet e klasifikuara brenda qeverisë amerikane, komunikimet e interceptuara iraniane sugjerojnë se dëmet ndaj programit bërthamor iranian nga sulmet kanë qenë më të kufizuara sesa pretendohet fillimisht.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka deklaruar se sulmet “e kanë shkatërruar plotësisht” programin bërthamor të Iranit. Megjithatë, zyrtarët amerikanë pranojnë se do të nevojitet kohë për të përfunduar një vlerësim të plotë të dëmeve të shkaktuara nga operacionet ushtarake të fundjavës së kaluar.