Ancelotti dënohet me burg

Trajneri i ekipit kombëtar të Brazilit, Carlo Ancelotti, është dënuar me një vit burgim me kusht për evazion fiskal që nga koha kur ai ishte trajner i Real Madridit.

Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve “EFE”, Ancelotti u dënua me një vit burgim me kusht për shkak të mospagesës së taksave mbi të ardhurat e fituara nga të drejtat e imazhit ndërsa ishte në krye të Real Madridit në vitin 2014.

Trajneri legjendar u lirua nga një vepër e ngjashme penale nga viti financiar 2015. Ancelotti është urdhëruar gjithashtu të paguajë një gjobë prej 386,361.93 eurosh për të zgjidhur çështjen.

66-vjeçarit i është dhënë një dënim me kusht dhe nuk pritet të kalojë asnjë ditë në burg. Siç është shpjeguar nga “Sky Sport Italia”, krimet jo të dhunshme me dënime nën dy vjet rrallë vuajnë burg në Spanjë.

Dënimi nuk pritet të ketë ndonjë ndikim afatgjatë në detyrat e tij si trajner i ekipit kombëtar të Brazilit, një punë që ai e mori në mesin e majit në fund të mandatit të tij të dytë në krye të Real Madridit.