Aliu: “Kabineti i Hapur” po shndërron zërin e qytetarëve në plane konkrete për përmirësimin e shëndetësisë
Në ditën e parë të iniciativës “Kabineti i Hapur”, Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu është takuar me rreth 20 qytetarë, të cilët ndanë shqetësime konkrete dhe ide të vlefshme për sistemin shëndetësor. “Ishte një bisedë e hapur dhe e sinqertë, ku çdo zë u dëgjua me vëmendje”, deklaroi ministri Aliu.
Ai njoftoi se sot, së bashku me ekipin e kabinetit, janë analizuar të gjitha çështjet e ngritura në takim dhe janë kthyer në plane pune konkrete dhe hapa të matshëm përpara. “Udhëheqësia fillon me dëgjim dhe vazhdon me veprim. Krijojmë një shëndetësi që bashkëbisedon, dëgjon dhe ndjek”, theksoi Ministri Aliu.
Nisma “Kabineti i Hapur” synon të afrojë qytetarin me institucionin dhe të ndërtojë një shëndetësi që merr formë përmes bashkëpunimit dhe dialogut të drejtpërdrejtë.