Ali Ahmeti dhe Ramiz Lladrovci bëjnë homazhe në nder të veprimtarit Jahir Prenku

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, së bashku me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë bërë sot homazhe pranë varrit të veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Jahir Prenku.

Ahmeti vlerësoi lart kontributin e Prenkut për lirinë dhe çështjen shqiptare, duke e quajtur atë një figurë të shquar që ia kushtoi jetën kombit.

“Sot, bashkë me mikun tim, kryetarin Ramiz Lladrovci, bëmë homazhe pranë varrit të Jahir Prenkut, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, në nderim të kontributit të tij për lirinë dhe kauzën shqiptare,” shkroi Ahmeti në rrjetet sociale.

Me këtë rast, lideri i BDI-së u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të të ndjerit dhe ndau me ta dhimbjen për humbjen e një figure të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare.

“Lavdi jetës dhe veprës së Jahir Prenkut! Respekt dhe mirënjohje përherë,” përfundoi Ahmeti.