Aleanca për Shqiptarët: Sabotimi i integrimit evropian nga Qeveria VMRO-VLEN po bëhet qëllimisht

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se propozimi i VMRO-DPMNE-së për një rezolutë të re me Bullgarinë nuk kontribuon në zgjidhjen e asnjë problemi real; përkundrazi, krijon tensione dhe dëmton pozicionin strategjik të vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, bashkë me partnerët e saj VLEN dhe ZNAM, po e çon vendin drejt izolimit të qëllimshëm përmes veprimeve politike që nuk kanë asnjë lidhje me prioritetet e integrimit evropian.

Propozimet për rezoluta të reja janë tregues i qartë se kjo qeveri nuk ka vullnet të sinqertë për të çuar përpara procesin e integrimit, por tenton të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik nga mungesa e rezultateve dhe paaftësia për të menaxhuar sfidat reale të shtetit.

Me këto lëvizje të pakoordinuara dhe të destinuara për konsum të brendshëm, VMRO-DPMNE dhe VLEN dëshmojnë se nuk kanë as përkrahje reale në Parlamentin Evropian, e as aleatë që do ta shtynin përpara agjendën evropiane të vendit.

Pyetja që ngrihet me të drejtë është: A e ka kjo qeveri vërtet për qëllim integrimin evropian të vendit, apo po përgatitet për ndonjë alternativë tjetër që nuk guxon ta ndajë me qytetarët?

Veprimet e fundit po na çojnë drejt një skenari ku vendi mund të përballet me kthim prapa dhe me kushte të reja, në vend të progresit dhe përmbushjes së kapitujve të negociatave.

Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se përdorimi i proceseve integruese për përfitime të ngushta politike është një lojë e rrezikshme, me pasoja afatgjata për vendin. VLEN, me heshtjen dhe miratimin e tyre, janë bashkëpërgjegjës për këtë kurs që shkon në drejtim të kundërt me aspiratat euroatlantike të shumicës dërrmuese të qytetarëve.

Në vend të një rruge të qartë drejt BE-së, kjo qeveri po ndërton një rrugë alternative – të mjegullt, të pasigurt dhe me pasoja të rënda për të ardhmen.

Aleanca për Shqiptarët do të jetë zëri i qartë i qytetarëve që nuk pajtohen me këtë devijim nga interesi strategjik i vendit. Integrimi evropian nuk është çështje që mund të relativizohet apo të përdoret për betejat e brendshme politike. Ai është një objektiv kombëtar dhe qytetar, që nuk guxon të cenohet.