Alarm për Kosovën: Serbia ka nisur fazën e hakmarrjes – ky është “skenari”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së fundi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë, për shkak të indikacioneve për rrezikim nga provokimet dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe.

“Përballë këtyre veprimeve, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe të qytetarëve tanë”, tha ndër të tjera Kurti.

E sipas doktor Gurakuç Kuçi – Hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor, Serbia është në fazën e hakmarrjes ndaj Kosovës, pasi kjo e fundit arrestoi Igor Popoviqin, zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

“Dekonspirimi i rrjetit të inteligjencës serbe (BIA) në Kosovë ka ekspozuar nervin e vërtetë të shtetit serb: frikën nga humbja e kontrollit dhe ndikimit. Pas arrestimit të disa agjentëve dhe çmontimit të strukturave të fshehta operative, Serbia ka kaluar në fazën e hakmarrjes, duke përdorur drejtësinë e kapur si armë politike kundër qytetarëve të Kosovës”, shprehet Kuçi.

Sipas tij, arrestimet e shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë janë një akt klasik i terrorizmit.

“Arrestimi i Arbnor Spahiut, ish-polic i tërhequr nga shërbimi që prej vitit 2022, nën akuza të fabrikuara për ‘vrasje të rëndë’ në ngjarjen terroriste të Banjskës në shtator të vitit 2023, është akt klasik i terrorizmit shtetëror serb dhe jo i argumentimit juridik. Po ashtu, ndalimi i Lulzim Halilit, që Serbia e paraqet si pjesëtar të UÇK-së ndonëse nuk figuron në asnjë listë zyrtare sipas OVL-së së UÇK-së, konfirmon logjikën: krijo frikë, destabilizo, godit institucionet që sfidojnë rrjetin serb të ndikimit në Kosovë”, thotë Kuçi.

Më tej, Kuçi deklaron se këto veprime janë një kërcënim i hapur strategjik për Kosovën.

“Synimi është i qartë: të ndalet ekspozimi i spiunazhit serb duke terrorizuar qytetarët shqiptarë që kalojnë nëpër Serbi, dhe të shkaktohet pasiguri psikologjike që më pas kanalizohet si pakënaqësi ndaj institucioneve të Kosovës. Kjo është një luftë psikologjike dhe një ofensivë hibride e mirëkalkuluar nga Beogradi”, shton Kuçi.

“Kosova duhet ta trajtojë këtë si kërcënim real të sigurisë kombëtare. Nevojitet veprim i menjëhershëm: koordinim me aleatët, transparencë publike dhe demaskim i plotë i rrjeteve të infiltrimit që Serbia ende përpiqet t’i mbajë aktive në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, doktor Gurakuç Kuçi – Hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor./Bota Sot