Aksidenti hekurudhor në Gjermani, Konsullata: Deri tani, asnjë shtetas i Kosovës nuk ndodhet në mesin e viktimave apo të lënduarve
Tre persona humbën jetën pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në jugperëndim të Gjermanisë të dielën.
Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart, ka thënë se deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që ndonjë shtetas i Kosovës, ndodhet në mesin e viktimave apo të lënduarve.
“Të nderuar bashkatdhetarë, lidhur me aksidentin hekurudhor të ndodhur afër qytetit Riedlingen në Baden-Württemberg, ku një tren rajonal me rreth 100 pasagjerë ka dalë nga shinat duke shkaktuar viktima dhe të lënduar, ju njoftojmë se Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane. Aktualisht, nuk ka konfirmim zyrtar që ndonjë shtetas i Republikës së Kosovës ndodhet në mesin viktimave apo të lënduarve, por jemi në pritje të informacioneve shtesë nga autoritetet përkatëse”, thuhet në njoftimin e tyre.
Më tej, Konsullata bën thirrje që të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë nevojë për ndihmë, të kontaktojnë në numrin emergjent: +49 152 37337814
“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit”, vijon njoftimi.
Ndryshe, raportohet se rreth 100 persona ishin në tren kur të paktën dy vagona dolën nga shinat në një zonë të pyllëzuar.
Imazhet e aksidentit tregojnë vagonët dhe prani të madhe të shërbimit të emergjencës.