AAK ia merr Fatmir Limajt edhe Enver Hotin, do të jetë kandidat i kësaj partie për Kryetar të Malishevës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ia ka marrë partisë së Fatmir Limajt, Enver Hotin. Hoti ka qenë ish-deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, shkruan Reporteri.net.

Lajmin për aderimin e Hotit në AAK, e ka bërë të ditur kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

“I njohur për përkushtimin ndaj vendit dhe vlerat e tij atdhetare, Enver Hoti i përket brezit të veprimtarëve të hershëm të angazhuar në çështjet kombëtare. Me një përvojë të pasur institucionale, ai ka shërbyer me profesionalizëm e integritet në çdo përgjegjësi që ka bartur. Aderimi i tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është një vlerë e shtuar për vizionin tonë politik dhe përkushtimin ndaj qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka bërë me dije se Hoti do të jetë kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës.

“Me përvojën, vendosmërinë dhe besimin në vlerat e Aleancës, ai përfaqëson më së miri frymën tonë, për një qeverisje të drejtë dhe transparente. Urime Enver! Paçim sukses dhe fitore të përbashkët në shërbim të Malishevës dhe qytetarëve të saj!”, ka shkruar Haradinaj.