“A do të këndohej shqip në Beograd, siç këndohej serbisht në Tetovë?”

Nga Urim Saliu

Po kërkoja një vendparkimi. E dimë të gjithë se çfarë beteje është kjo, sidomos kur bëhet fjalë për parkimet me “kate” në Tetovë, të cilat për çudi janë gjithmonë “të zëna”. Ishte një natë e freskët, më në fund pas ditëve të nxehta e mbytëse, dhe si shumë të tjerë, dola pasdarke me fëmijët — në qytetin tim të mbushur me mërgimtarë, ku çdo cep pulson jetë verore.
Derisa lexoja për një status deputeteje të VLEN që merrej me mediat dhe jo me qeverisjen e tyre mu kujtua ajo fraza e famshme e kreut të Komunës që I tha në takim lojtarit të kombëtares Nedim Bajramit se sfida me Serbinë është e madhe dhe duhet ta fitojnë.Mu duk një akt patriotizmi I kryetarit deri më 27 korrik , në atë natë ku po ajo kulturë serbe jehonte tingujt në sheshin e Tetovës që ne e kemi ruajtur me fanatizëm nga ndikimet e jashtme.Pak edhe me nacionalizëm gjithësesi sepse kështu është Ballkani.
Teksa ecja, më vjen një zë — më saktë, një tingull muzike. Në fillim mendova se ishte ndonjë makinë afër, ndonjë jugo-nostalgjik që kishte lëshuar muzikë serbe me zë të lartë — se ka plot të tillë, kjo s’është gjë e re. Por… jo. Këtë herë nuk vinte nga ndonjë makinë.
Kjo muzikë vinte nga vetë qendra e qytetit.
U afruam, dhe ç’të shoh? Një koncert, një aktivitet, një “natë kulturore”. Dhe, në një qytet që vuan për kulturë, që nuk organizon asgjë përveçse në prag zgjedhjesh, në Tetovën që feston vetëm për vota si gjithmonë që ka qenë kështu — po dëgjohej muzikë serbe. Në zemër të qytetit. Në një mbrëmje që supozohej të ishte e dedikuar për qytetarët.
U shtanga dhe thashë se gjasat do të ishin minimale që në zemër të Beogradit të këndohej lirshëm në shqip, aq më pak në një aktivitet publik zyrtar. Sepse realiteti politik dhe narrativat kombëtare atje nuk e lejojnë ende një hapësirë të tillë për pranimin e shqiptarëve, jo si qytetarë të barabartë, por as si pjesë të natyrshme të peizazhit shoqëror.
Pse ndodh e kundërta në Tetovë?
Shqiptarët janë zemërgjerë, mikpritës, shpesh edhe naivë politikisht. Ky karakter kombëtar, i formuar nga shekuj të gjatë shtypjeje dhe dëshirë për paqe, shpesh i bën të jenë më të hapur, edhe aty ku s’ka reciprocitet.
Por ndonjëherë, kjo nuk vjen vetëm nga populli, por nga politikanët që udhëheqin, të cilët:
E përdorin tolerancën si mjet për të marrë vota;
Kërkojnë të krijojnë imazhin e bashkëjetesës, ndonëse e vërteta është shumë më komplekse;
Janë të gatshëm të harrojnë dinjitetin historik, vetëm për interesa afatshkurtra politike.
Mu kujtua biseda që kisha dikur me një professor të respektuar që e di më mirë se gjithë ne kur flet për të qenurit inferior apo gjërat shkojnë akomë më larg tek ndonjë llogari elektorale?
Në Tetovë kishte elemente të të dyjave bashkë.
Inferioriteti i brendësuar mund të jetë pjesë e sindromës së një populli që historikisht ka qenë i nënshtruar dhe ende kërkon të “pranohet” nga tjetri.
Por më së shumti, kjo është llogari politike. Kreu i Komunës, apo çdo politikan lokal, nuk do të lëshonte një platformë të tillë pa pasur një llogari të qartë: votat e minoritetit, imazhi ndërkombëtar, ose përfitime personale.
Është kjo një indinjatë qytetare?
Po. Në heshtje ose jo, shumë qytetarë të Tetovës ndjejnë pakënaqësi dhe shqetësim:
Sepse kjo nuk është bashkëjetesë e barabartë, por asimilim i heshtur i dinjitetit shqiptar.
Sepse ndihen të tradhtuar kur komuna nuk është zëri i tyre, por platforma e dikujt tjetër për marketing politik.