21-vjeçari kapet me automatik “Scorpion” në shëtitoren e Shëngjinit

Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës në shëtitoren e Shëngjinit, ndërsa në çantën e tij u gjet një automatik tip “Scorpion” me fishek në fole, gati për qitje.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë operacionit të koduar “Siguria”, efektivët lokalizuan shtetasin K.V., i cili mbante armën e zjarrit ndërsa në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai tentoi të largohej, por u kap dhe neutralizua.

Atij i janë sekuestruar arma automatike tip “Scorpion” me fishek në fole, municion luftarak, 2 celularë, 1 automjet dhe 1 motomjet.

Operacioni u organizua pas informacioneve të siguruar për një person që lëvizte me armë zjarri në shëtitoren e Shëngjinit.

Në vijim të veprimeve, shtetasi K.V., 21 vjeç, banues në Lezhë, u arrestua në flagrancë me akuzat për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë

“Shëngjin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”, në kuadër të planit të masave për garantimin e sigurisë në zonat e frekuentuara gjatë sezonit veror.

Lëvizte në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, i armatosur me armë zjarri me fishek në fole gati për qitje, vihet në pranga 21-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit automatike tip “Scorpion”, municion luftarak, 2 celularë, 1 automjet dhe 1 motomjet që i përdorte 21-vjeçari.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në të dhënat e siguruara për një shtetas që lëvizte me armë zjarri, në Shëngjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria”.

Gjatë operacionit, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin K. V., që po mbante një armë zjarri. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai ka tentuar të largohet, por është kapur dhe neutralizuar.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 1 armë zjarri automatike tip “Scorpion”, me fishek në fole, dhe 2 krehra me municion luftarak për këtë armë.

Në vijim të veprimeve, shtetasi K. V., 21 vjeç, banues në Lezhë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

https://euronews.al/wp-content/uploads/2025/07/scorpion.mp4?_=1