Zv/kryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka pretenduar se disa vende janë të përgatitura të furnizojnë drejtpërdrejtë Iranin me armë bërthamore, pas sulmeve ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, transmeton Anadolu.
“Një numër vendesh janë të gatshme të furnizojnë drejtpërdrejtë Iranin me armët e tyre bërthamore”, tha Medvedev në një deklaratë të postuar në Telegram.
Komentet e tij erdhën disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se forcat amerikane kanë bombarduar objektet bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, sulme që shënojnë përshkallëzimin e fundit në konfliktin e vazhdueshëm Iran-Izrael.
Medvedev tha se objektet e shënjestruara me sa duket pësuan dëme minimale ose aspak të konsiderueshme, duke shtuar se pasurimi i uraniumit dhe zhvillimi i mundshëm i armëve bërthamore siç duket do të vazhdojë.
Ai paralajmëroi se SHBA-ja është “përfshirë” në një konflikt tjetër të madh, këtë herë me “perspektivën e një operacioni tokësor”, si dhe argumentoi se udhëheqja iraniane ka dalë politikisht më e fuqishme si rezultat i sulmeve.
“Njerëzit po konsolidohen rreth udhëheqjes shpirtërore, madje edhe ata që nuk e simpatizonin atë”, tha Medvedev.
Ai e kritikoi presidentin Trump për nisjen e një lufte tjetër pavarësisht fushatës si “paqe-bërës” dhe hodhi poshtë çdo mundësi që presidenti amerikan të marrë Çmimin Nobel të Paqes.
Zyrtari rus gjithashtu pretendoi se “shumica absolute e vendeve” kundërshtojnë veprimet e SHBA-së dhe të Izraelit.
Sulmet amerikane pasuan një intensifikim të operacioneve ushtarake izraelite kundër Iranit që filluan më 13 qershor, pas çka Teherani u përgjigj me sulme me raketa në qytete dhe baza ushtarake izraelite.
Ministria e Shëndetësisë e Iranit njoftoi se të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite, ndërkohë autoritetet izraelite raportuan 25 të vdekur dhe disa qindra të plagosur nga sulmet hakmarrëse iraniane.