Wimbledon fillon: Pas 148 vitesh pa gjyqtarë, me luleshtrydhe më të shtrenjta dhe një fond rekord çmimesh
Kodi tradicional i veshjes së bardhë është gati, luleshtrydhet me krem tashmë po shërbehen në ambientet e All England Club, dhe tribunat janë në pritje të pikëve të para. Turneu prestigjioz i Grand Slamit, Wimbledon, nis sot, duke shënuar fillimin e betejës për titullin më të dëshiruar në botën e tenisit.
Ky edicion pritet të jetë historik, pasi për herë të parë në 148 vite, Wimbledon do të zhvillohet pa gjyqtarë vijash në fushë. Turneu ka prezantuar një sistem të ri elektronik të arbitrimit (ELC), i cili përdor rreth 450 kamera për të siguruar vendime më të sakta në kohë reale.
Reagimet ndaj këtij ndryshimi janë të përziera. Disa ndihen nostalgjikë për dramën dhe emocione që sjellin vendimet njerëzore, ndërsa të tjerë mirëpresin përputhjen me teknologjitë e përdorura në Grand Slamet e tjera dhe saktësinë që sjell ky sistem.
Programi i sotëm nis në fushat dytësore, ndërsa ndeshja e parë në Fushën Qendrore është planifikuar në orën 14:30, ku kampioni në fuqi Carlos Alcaraz përballet me italianin legjendar Fabio Fognini. Ky i fundit, tashmë në fund të karrierës dhe i renditur i 128-ti në botë, nuk pritet t’i sjellë shumë telashe Alcarazit në hapjen e turneut.
Alcaraz fitoi Wimbledonin vitin e kaluar duke mundur Novak Djokovicin me rezultat të pastër 3:0 në sete (6:2, 6:2, 7:6).
Ndër favoritët e mëdhenj në garën e meshkujve përmendet edhe Jannik Sinner, tenisti italian që është aktualisht numri një në botë.
Ai do ta nisë rrugëtimin e tij në Wimbledon me një përballje ndaj bashkëkombësit Luca Nardi, një tjetër ndeshje e planifikuar për të martën.
Në garën e femrave, kampionia në fuqi është Barbora Krejcíkova, e cila vitin e kaluar mposhti italianen Jasmine Paolini me 2:1 në sete në finalen emocionuese. Ajo do të përballet në raundin e parë me filipinasen Alexandra Eala. Megjithatë, favoritja kryesore këtë vit është Aryna Sabalenka nga Bjellorusia, e cila është në formë të jashtëzakonshme.
Ndryshimet këtë vit nuk ndalen me teknologjinë. Për herë të parë pas 15 vitesh, është rritur edhe çmimi i famshëm i luleshtrydheve me krem, nga 2.9 euro në 3.15 euro për racion. Me rreth 140,000 racione të shitura çdo vit, kjo sjell rreth 33,000 euro shtesë për organizatorët.
It’s almost time ☀️#Wimbledon pic.twitter.com/c7RJDr6Njc
— Wimbledon (@Wimbledon) June 30, 2025
Fondi total i çmimeve për edicionin 2024 është 62 milionë euro, me fituesit e garave të meshkujve dhe femrave që do të marrin nga 3.5 milionë euro secili.
Finalistët do të përfitojnë afërsisht dy milionë euro, ndërsa edhe ata që eliminohen në raundin e parë do të marrin 77,000 euro, një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar.