UT-ja çiftit DioGuardi do t’i ndajë titulli Doctor Honoris Causa

Të premten (13 qershor) në orën 14 në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” në UT do të nderohen me titullin Doctor Honoris Causa, z. Joseph J. DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi.

Siç theksohet në komunikatën e UT-së, kjo nuk është thjesht një ngjarje e radhës për Universitetin e Tetovës – është një ditë që do të mbetet e shënuar në marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Universitetit të parë në gjuhën shqipe në RMV (UT-së), dhe autoriteteve më përfaqësuese amerikane.

“Universiteti i Tetovës u themelua me vokacion të qartë pro-perëndimor dhe u mbështet nga njerëz që i afirmojnë e i mishërojnë këto vlera. Z. Joseph DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi, së bashku me themeluesin dhe Rektorin e parë historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, ishin ndër ata që më mirë se kushdo tjetër e kuptonin rolin thelbësor të demokracisë. Prandaj, ata zgjodhën rrugën për realizimin e saj – përmes arsimit, shkencës dhe kulturës”, thuhet në kumtesë.