Turqia ka forcuar masat e sigurisë në kufijtë dhe hapësirën e saj ajrore në përgjigje të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, njoftoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Yaşar Güler. Duke dënuar ashpër sulmet ushtarake të fundit të Izraelit ndaj Iranit, Güler paralajmëroi për rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm në rajon.
– Advertisement –
Gjatë një video-konference me komandantët e forcave të armatosura, Güler theksoi se autoritetet turke po ndjekin me kujdes zhvillimet dhe kanë ndërmarrë “masa gjithëpërfshirëse” për të garantuar sigurinë e vendit.
“Sipas direktivave të presidentit tonë, veprojmë në bazë të një paradigme proaktive të sigurisë. Në koordinim të ngushtë me institucionet përkatëse, po analizojmë të gjitha skenarët që mund të prekin vendin tonë,” deklaroi ministri.
Duke dënuar sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit, të cilat i cilësoi si të paligjshme, Güler tha: “Veprimet e Izraelit, që fillimisht nisën në Gaza, më pas në Liban e tani edhe në Iran, tregojnë qartë synimin për të përhapur konfliktin në të gjithë rajonin. Këto operacione po e tërheqin rajonin tonë drejt kaosit.”
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë me urgjencë për të ndalur veprimet “arbitrare” të Izraelit, duke theksuar nevojën për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Ministri Güler prezantoi gjithashtu planin strategjik të mbrojtjes afatgjatë të Turqisë, duke njoftuar zhvillimin e një sistemi të integruar të mbrojtjes ajrore të quajtur “Kupola e Çeliktë”. Ky sistem do të operojë në bashkëpunim me avionin luftarak vendas “Kaan” dhe një sërë sistemesh raketore.
“Nën udhëheqjen e presidentit tonë, objektivi ynë kryesor është ndërtimi i një kapaciteti të lartë mbrojtës përmes sistemit ‘Kupola e Çeliktë’, që do të garantojë mbrojtjen e plotë të atdheut tonë,” deklaroi Güler.
Ai përfundoi duke theksuar se Turqia nuk do të mbetet thjesht një vëzhguese, por synon të ndikojë aktivisht në zhvillimet rajonale, duke zbatuar politika të sigurisë dhe mbrojtjeje që janë gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale.