Trump mohon kontaktet me Teheranin pas sulmeve: “Nuk i ofrova asgjë Iranit”

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump deklaroi se “nuk ka kontaktuar me qeverinë e Teheranit” që nga sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe se nuk i ka bërë asnjë ofertë Iranit.

Trump bëri një deklaratë në “Truth Social lidhur me procesin pas sulmeve ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

“Dikush t’i thotë atij senatori demokrat, Chris Coons se unë nuk i ofrova asgjë Iranit”, tha Trump.

Ai tha se ish-presidenti i ShBA-së, Barack Obama i pagoi miliarda dollarë Iranit dhe se nuk do të bënte të njëjtën gjë. Trump argumentoi se Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) kishte humbur vlefshmërinë e tij.

Trump theksoi se “nuk ka kontaktuar me qeverinë e Teheranit” që nga sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Konflikti që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit

Më 13 qershor, Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme të Iranit si dhe komandën e lartë ushtarake.

Në Iran, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti i Përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë u vranë në sulmet e Izraelit.

Në deklaratën e saj të fundit, Ministria iraniane e Shëndetësisë raportoi se numri i përgjithshëm i viktimave civile në sulmet e Izraelit ishte 606 ndërsa numri i të plagosurve 5.332.

Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se 28 persona u vranë dhe 1.272 u plagosën në hakmarrjen e ushtrisë iraniane. ShBA-ja, e cila mbështet hapur Izraelin, kreu sulme ndaj tre centraleve bërthamore të Iranit në Natanz, Fordo dhe Isfahan më 22 qershor.

Irani sulmoi bazën ajrore amerikane “Al-Udeid” në Katar më 23 qershor në përgjigje të sulmit amerikan. Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, njoftoi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit më 24 qershor.