Trump: Irani nuk dëshiron të dialogojë me Europën, e vështirë t’i kërkosh Izraelit të ndalë sulmet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se po zhvillohen kontakte me Iranin për një zgjidhje diplomatike, duke lënë të hapur mundësinë për ulje tensionesh në rajon. “Po flasim me Iranin dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë,” tha ai gjatë një deklarate për shtyp nga Bedminster, New Jersey.

Trump shprehu mosbesim ndaj përpjekjeve diplomatike evropiane, duke nënvizuar se “Irani nuk dëshiron të flasë me Europën”, duke i konsideruar këto përpjekje të dështuara.

Në lidhje me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, presidenti amerikan tha se është e vështirë të kërkosh ndaljen e operacioneve ushtarake nga Tel Avivi në një moment kur, sipas tij, Izraeli është në epërsi. “Izraeli po ia del mirë në këtë luftë. Irani më pak. Është e vështirë të ndalosh dikë kur është në avantazh”, u shpreh ai.

Trump gjithashtu hodhi poshtë deklaratat e drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, e cila kishte siguruar më herët Kongresin se Irani nuk është duke punuar për të ndërtuar një armë bërthamore. “Ajo gabon”, tha Trump, duke pretenduar se Irani është “vetëm disa javë apo muaj larg” nga ndërtimi i një arme bërthamore, dhe se kërcënimi është i menjëhershëm.