Tripunovski u drejtohet qytetarëve: Bëhuni ambasadorë krenarë të produkteve bujqësore maqedonase, kështu investoni në të ardhmen e fshatrave dhe komunave tona
Sot u mbajt ngjarja “Ushqimi nga komunat” me moton “Nga fusha në tryezë – gjithçka nga komuna jonë”, me mbështetje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe në organizim të shoqatës “Tradita jonë, e ardhmja jonë”.
Në ngjarje marrin pjesë rreth 250 përfaqësues dhe ekspozues nga rreth 30 komuna të vendit, si dhe dhjetëra kooperativa dhe shoqata bujqësore. Ngjarja e sotme paraqet një platformë për lidhje të drejtpërdrejtë mes prodhuesve bujqësorë dhe qytetarëve, duke ndërtuar ura mes zonave rurale dhe atyre urbane.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, gjatë fjalimit të tij theksoi se interesi për promovimin dhe prezantimin e produkteve bujqësore cilësore dhe vlerave tradicionale nga të gjitha rajonet e Maqedonisë është jashtëzakonisht i madh.
“Zonat rurale nuk janë vetëm burim ushqimi, por edhe ruajtës të kulturës, traditës dhe identitetit tonë”, theksoi ministri, duke shtuar se Ministria punon me përkushtim në interes të bujqve, që qytetarët të kenë ushqim të qasshëm, cilësor dhe të sigurt.
ads.tetovasot.com
ads.tetovasot.com
Vizitorët kanë mundësi të degustojnë produkte autentike nga çdo komunë, që përfaqësojnë një ndërthurje të traditës shumëvjeçare dhe njohurive moderne, si dhe të njihen me produktet artizanale dhe mënyrën e përpunimit të tyre.
Ministri Tripunovski u bëri thirrje qytetarëve që të jenë ambasadorë krenarë të produkteve bujqësore maqedonase.
“Kur zgjidhni një produkt vendor, kur e mbështesni ekonominë lokale, ju investoni në të ardhmen e fshatrave dhe komunave tona”, theksoi ai.
Ngjarja synon të nxisë bashkëpunim më të madh, mbështetje dhe vlerësim për produktin maqedonas, si dhe ruajtjen e traditës që duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm.