Temperatura deri në 40 gradë, nga nesër valë e të nxehtit me indeks UV 9

Nën ndikimin e një mase ajrore të ngrohtë nga jugu, nga nesër (e mërkurë) deri të premten në gjithë vendin do të mbizotërojë mot shumë i nxehtë, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Temperaturat ditore do të tejkalojnë 30°C, ndërsa në disa vende pritet të arrijnë edhe mbi 40 gradë.

Përveç temperaturave të larta, vlera e indeksit UV do të jetë 9 – që paraqet një nivel shumë të lartë dhe sjell rrezik serioz për shëndetin në rast të ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell. Qytetarëve u këshillohet të shmangin qëndrimin jashtë në periudhën nga ora 11 deri në 17, të veshin rroba të lehta dhe të konsumojnë më shumë lëngje.

Sipas parashikimeve, të premten pasdite dhe në mbrëmje pritet të ketë paraqitje lokale të motit të paqëndrueshëm – me reshje shiu dhe bubullima. Nga fundjava pritet një freskim i lehtë me ulje të temperaturave dhe erë veriore mesatare deri e fuqishme.

Në Shkup nesër moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me erë të lehtë nga drejtimi verior. Temperatura maksimale ditore do të arrijë deri në 39°C.