Të paktën 81 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 400 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në të gjithë Gazën në 24 orët deri në mesditën e së shtunës, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Të paktën 11 persona, përfshirë fëmijë, u vranë pas një sulmi pranë një stadiumi në qytetin e Gazës, ka njoftuar stafi i spitalit Al-Shifa dhe dëshmitarët për agjencitë e lajmeve. Stadiumi po përdorej për të strehuar persona të zhvendosur, të cilët jetonin në tenda, raporton BBC.
Pamjet e verifikuara nga BBC-ja tregojnë njerëz që gërmojnë në rërë me duar dhe lopata për të gjetur trupa.
Ushtria izraelite ka thënë se nuk ishte “në dijeni të lëndimeve si rezultat i sulmit”, përveç “një individi të dyshimtë që përbënte një kërcënim” për forcat e saj.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka thënë se shpresonte që një armëpushim të mund të arrihej javën e ardhshme.
Ndërmjetësit e Katarit kanë thënë se shpresonin që presioni i SHBA-së mund të ketë ndikim që të arrihet një marrëveshje.
Një armëpushim dymujor është prishur në mars kur Izraeli nisi sulme të reja në Gaza. Marrëveshja e armëpushimit e cila filloi më 19 janar, ishte planifikuar të kishte tre faza, por nuk e kaloi fazën e parë.
Faza e dytë përfshinte vendosjen e një armëpushimi të përhershëm, kthimin e pengjeve të mbetura gjallë në Gaza në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Të enjten, një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se ndërmjetësit kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të ndërmjetësuar një armëpushim të ri dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza, por se negociatat me Izraelin mbeten të bllokuara.